Sacred Texts  Bible  World Bible  Index  Previous  Next 

Albanian Bible: Proverbs

1:1 Fjalët e urta të Salomonit, birit të Davidit, mbret i Izraelit,

1:2 për të njohur diturinë dhe për të mësuar gjykimet e mënçura;

1:3 për të ditur si të veprosh me urti, me drejtësi, me gjykim dhe ndershmëri,

1:4 për t'u dhënë shkathtësi njerëzve të thjeshtë, njohje dhe reflektim të riut.

1:5 I urti do të dëgjojë dhe do të rritë diturinë e tij; njeriu i zgjuar do të përfitojë këshilla të urta,

1:6 për të kuptuar një sentencë dhe një enigmë, fjalët e të urtëve dhe thëniet e tyre të errëta.

1:7 Frika e Zotit është fillimi i njohjes; por njerëzit e pamend përçmojnë diturinë dhe arsimin.

1:8 Dëgjo, o biri im, mësimet e atit tënd dhe mos i lër pas dore mësimet e nënes sate,

1:9 sepse janë një nur që zbukuron kokën tënde dhe një stoli në qafën tënde.

1:10 Biri im, në qoftë se mëkatarët duan të të mashtrojnë, mos prano,

1:11 në qoftë se thonë: "Eja me ne; kemi ngritur një pritë për të derdhur gjak; i ngritëm gracka të pafajmit pa ndonjë shkak;

1:12 le t'i kapërdimë të gjallë, ashtu si Sheoli, tërësisht si ata që zbresin në gropë;

1:13 ne do të gjejmë lloj-lloj pasurish të çmueshme, do t'i mbushim shtëpitë tona me plaçka;

1:14 ti do ta hedhësh në short pjesën tënde me ne, dhe të gjithë ne do të kemi një qese të vetme";

1:15 biri im, mos shko me ta në po atë rrugë, ndale hapin nga shtegu i tyre,

1:16 sepse këmbët e tyre turren drejt së keqes dhe ata nxitojnë të derdhin gjak.

1:17 Shtrihet më kot rrjeta përpara çdo lloji zogjsh;

1:18 por këta kurdisin prita kundër gjakut të vet dhe ngrenë kurthe kundër vetë jetës së tyre.

1:19 Të tilla janë rrugët e çdo njeriu të etur për pasuri; ajo ia heq jetën atyre që e kanë.

1:20 Dituria bërtet nëpër rrugë, zëri i saj dëgjohet nëpër sheshe;

1:21 ajo thërret në vendet ku ka turma dhe ligjëron në hyrje të portave të qytetit;

1:22 "Deri kur, o njerëz të thjeshtë, do t'ju pëlqejë thjeshtësia dhe tallësit do të kënaqen duke u tallur dhe budallenjtë do të urrejnë dijen?

1:23 Ejani në vete nga qortimi im; ja, unë do të derdh mbi ju Frymën time dhe do t'ju bëj të njohura fjalët e mia.

1:24 Sepse unë thirra dhe ju nuk keni dashur, shtriva dorën time dhe askush prej jush nuk i kushtoi vëmendje,

1:25 përkundrazi hodhët poshtë të gjitha këshillat e mia dhe nuk pranuat ndreqjen time,

1:26 edhe unë do të qesh me fatkeqësinë tuaj, do të tallem kur të vijë ajo që ju druani,

1:27 kur ajo që druani të vijë si një furtunë, dhe fatkeqësia juaj të vijë si një stuhi, kur t'ju mbulojnë fatkeqësia dhe ankthi.

1:28 Atëherë ata do të më thërrasin mua, por unë nuk do të përgjigjem; do të më kërkojnë me kujdes, por nuk do të më gjejnë.

1:29 Sepse kanë urryer dijen dhe nuk kanë zgjedhur frikën e Zotit,

1:30 nuk kanë dashur të pranojnë këshillën time dhe kanë përbuzur të gjitha qortimet e mia.

1:31 Prandaj do të hanë frytin e sjelljes së tyre dhe do të ngopen me këshillat e tyre.

1:32 Sepse përdalja e njerëzve të thjeshtë i vret dhe qetësia e rreme e budallenjve i zhduk;

1:33 por ai që më dëgjon do të banojë një vend të sigurt, do të jetë me të vërtetë i qetë, pa frikë nga çfarëdo e keqe".

2:1 Biri im, në rast se pranon fjalët e mia dhe i quan thesar urdhërimet e mia,

2:2 duke i vënë veshin diturisë dhe duke e prirur zemrën ndaj arsyes;

2:3 po, në rast se kërkon me ngulm gjykimin dhe ngre zërin për të siguruar mirëkuptim,

2:4 në rast se e kërkon si argjendin dhe fillon të rrëmosh si për një thesar të fshehur,

2:5 atëherë do të ndjesh frikën e Zotit dhe ke për të gjetur kuptimin e Perëndisë.

2:6 Sepse Zoti jep diturinë; nga goja e tij rrjedhin njohuria dhe arsyeja.

2:7 Ai mban rezervë për njerëzit e drejtë një ndihmë të fuqishme, një mburojë për ata që ecin me ndershmëri

2:8 për të mbrojtur shtigjet e drejtësisë dhe për të ruajtur rrugën e shenjtorëve të tij.

2:9 Atëherë do të kuptosh drejtësinë, barazinë, ndershmërinë dhe tërë rrugët e së mirës.

2:10 Kur dituria të të hyjë në zemër, edhe njohja do të jetë e këndshme për shpirtin tënd,

2:11 të menduarit do të kujdeset për ty dhe gjykimi do të të mbrojë,

2:12 për të të çliruar nga rruga e keqe, nga njerëzit që flasin për gjëra të këqija,

2:13 nga ata që braktisin shtigjet e ndershmërisë për të ecur në rrugët e territ,

2:14 që gëzohen kur bëjnë të keqen dhe ndjejnë kënaqësi në çoroditjet e njeriut të keq,

2:15 shtigjet e të cilit janë të shtrembëra dhe rrugët dredha-dredha,

2:16 për të të shpëtuar nga gruaja që ka shkelur kurorën, nga gruaja e huaj që përdor fjalë mikluese,

2:17 që ka braktisur shokun e rinisë së saj dhe ka harruar marrëveshjen e lidhur me Perëndinë.

2:18 Sepse shtëpia e saj zbret drejt vdekjes dhe shtigjet e saj drejt të vdekurve.

2:19 Asnjë prej atyre që shkojnë tek ajo nuk kthehet, asnjë nuk i arrin shtigjet e jetës.

2:20 Kështu do të mund të ecësh në rrugën e të mirëve dhe do të mbetesh në shtigjet e të drejtëve.

2:21 Sepse njerëzit e drejtë do të banojnë tokën dhe ata të ndershëm do të qëndrojnë aty;

2:22 por të pabesët do të shfarosen nga toka dhe shkelësit do të hiqen prej saj.

3:1 Biri im, mos harro mësimet e mia dhe zemra jote le të ruajë urdhërimet e mia,

3:2 sepse do të të shtohen ditë të gjata, vite jete dhe paqeje.

3:3 Mirësia dhe e vërteta mos të lënçin kurrë; lidhi rreth qafës, shkruaji mbi tabelën e zemrës sate;

3:4 do të gjesh kështu hir dhe arsye në sytë e Perëndisë dhe të njerëzve.

3:5 Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd;

3:6 pranoje në të gjitha rrugët e tua, dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua.

3:7 Mos e mbaj veten të ditur në sytë e tu, ki frikë nga Zoti dhe hiq dorë nga e keqja;

3:8 kjo do të jetë shërim për nervat e tua dhe freskim për kockat e tua.

3:9 Ndero Zotin me pasurinë tënde dhe me prodhimet e para të çdo të ardhure që ke;

3:10 hambarët e tu të grurit do të jenë plot e përplot dhe vozat e tua do të gufojnë me musht.

3:11 Biri im, mos e përçmo ndëshkimin e Zotit dhe mos urre qortimin e tij,

3:12 sepse Zoti qorton atë që do, si një baba djalin që atij i pëlqen.

3:13 Lum ai njeri që ka gjetur diturinë dhe njeriu që ka përftuar arsyen.

3:14 Sepse fitimi i tij është më i mirë se fitimi i argjendit dhe fryti i tij vlen më tepër se ari i kulluar.

3:15 Ajo është më e çmuar se perlat dhe mbarë gjërat më të këndshme nuk mund të barazohen me të.

3:16 Gjatësia e jetës është në të djathtë të saj, pasuria dhe lavdia në të majtë të saj.

3:17 Rrugët e saj janë rrugë të kënaqshme dhe në të tërë shtigjet e saj mbretëron paqja.

3:18 Ajo është një dru i jetës për ata që e kapin dhe lum ata që mbahen fort atje.

3:19 Me diturinë Zoti krijoi tokën dhe me zgjuarësinë i bëri të qëndrueshëm qiejtë.

3:20 Me diturinë e tij u hapën humnerat dhe retë japin vesë.

3:21 Biri im, këto gjëra mos u largofshin kurrë nga sytë e tu. Mbaje diturinë dhe të menduarit.

3:22 Ato do të jenë jetë për shpirtin tënd dhe një zbukurim në qafën tënde.

3:23 Atëherë do të ecësh i sigurt në rrugën tënde dhe këmba jote nuk do të pengohet.

3:24 Kur do të biesh për të fjetur, nuk do të kesh frikë; po, do të biesh dhe gjumi yt do të jetë i ëmbël.

3:25 Nuk do të druash llahtarën e papritur, as shkatërrimin e të pabesëve kur do të ndodhë,

3:26 sepse Zoti do të jetë pranë teje dhe do të pengojë që këmba jote të kapet në ndonjë lak.

3:27 Mos i refuzo të mirën atij që i takon, kur e ke në dorë ta bësh.

3:28 Mos i thuaj të afërmit tënd: "Shko dhe kthehu; do të të jap nesër", kur e ke me vete gjënë e nevojshme.

3:29 Mos kurdis asnjë të keqe kundër të afërmit tënd, ndërsa ai banon me besim bashkë me ty.

3:30 Mos bëj padi kundër askujt pa shkak; po të jetë se nuk të ka bërë asnjë të keqe.

3:31 Mos ki zili njeriun e dhunshëm dhe mos zgjidh asnjë nga rrugët e tij,

3:32 sepse Zoti e neverit njeriun e çoroditur, por këshilla e tij është për njerëzit e ndershëm.

3:33 Mallkimi i Zotit është në shtëpinë e të pabesit, por ai bekon banesën e të drejtëve.

3:34 Me siguri ai tallet me tallësit, por i fal të përvuajturit.

3:35 Njerëzit e urtë do të trashëgojnë lavdinë, por poshtërsia do të jetë trashëgimia e atyre që nuk kanë mend.

4:1 Dëgjoni, o bij, mësimet e një ati dhe tregoni kujdes që të mësoni të gjykoni,

4:2 sepse ju jap një doktrinë të mirë; mos braktisni ligjin tim.

4:3 Kur isha ende fëmijë pranë atit tim, njomëzak dhe i dashur në sytë e nënes sime,

4:4 ai më mësonte dhe më thoshte: "Zemra jote të kujtojë fjalët e mia; ruaji urdhërimet e mia dhe do të jetosh.

4:5 Fito dituri, fito gjykim; mos i harro fjalët e gojës sime dhe mos u largo prej tyre;

4:6 mos e braktis diturinë dhe ajo do të të mbrojë; duaje, sepse ajo do të të ndihmojë.

4:7 Dituria është gjëja më e rëndësishme; prandaj fito diturinë. Edhe sikur të humbasësh ato që ke, fito diturinë.

4:8 Përlëvdoje dhe ajo do të të lartësojë, ajo do të të japë lavdi, po qe se ti e përvehtëson.

4:9 Ajo do të të vërë mbi kokën tënde një stoli prej nuri, do të të rrethojë me një kurorë lavdie".

4:10 Dëgjo, biri im, pranoji fjalët e mia dhe vitet e jetës sate do të shumohen.

4:11 Të kam mësuar në rrugën e diturisë, të kam udhëhequr nëpër shtigjet e ndershmërisë.

4:12 Kur do të ecësh, hapat e tua nuk do të pengohen; kur do të vraposh, nuk do të pengohesh.

4:13 Rroke mirë këtë mësim, mos e lër që të shkojë kot; ruaje, sepse ai është jeta jote.

4:14 Mos hyr në shtegun e të pabesëve dhe mos ec në rrugën e njerëzve të këqij;

4:15 evitoje atë, mos kalo nëpër të; largoju prej saj dhe shko tutje.

4:16 Sepse ata nuk mund të flenë, po të mos kenë bërë të keqen; gjumi i tyre zhduket po të jetë se nuk kanë rrëzuar dikë;

4:17 ata hanë bukën e paudhësisë dhe pinë verën e dhunës.

4:18 Por shtegu i të drejtëve është si drita e agimit, që shkëlqen gjithnjë e më mirë deri sa të bëhet ditë e plotë.

4:19 Rruga e të pabesëve është si terri; ata nuk shohin atë që do t'i rrëzojë.

4:20 Biri im, trego kujdes për fjalët e mia, dëgjo thëniet e mia;

4:21 mos u largofshin kurrë nga sytë e tu, ruaji në qendër të zemrës sate;

4:22 sepse janë jetë për ata që i gjejnë, shërim për të gjithë trupin e tyre.

4:23 Ruaje zemrën tënde me shumë kujdes, sepse nga ajo dalin burimet jetës.

4:24 Hiq dorë nga e folura me hile dhe largo prej teje buzët e çoroditura.

4:25 Sytë e tu le të shohin drejt dhe qepallat e tua të synojnë drejt para teje.

4:26 Sheshoje shtegun e këmbëve të tua, dhe të gjitha rrugët e tua qofshin të caktuara mirë.

4:27 Mos u shmang as në të djathtë as në të majtë; tërhiqe këmbën tënde nga e keqja.

5:1 Biri im, ki kujdes për diturinë time, vëri veshin arsyetimit tim,

5:2 me qëllim që ti të ruash gjykimin dhe buzët e tua të fiksojnë diturinë.

5:3 Sepse buzët e gruas që shkel kurorën nxjerrin mjaltë dhe goja e saj është më e butë se vaji;

5:4 por në fund ajo është e hidhur si pelini, e mprehtë si një shpatë me dy presa.

5:5 Këmbët e saj zbresin drejt vdekjes, hapat e saj çojnë drejtpërdrejt në Sheol.

5:6 Ajo nuk ecën në shtegun e jetës, por ti nuk i jep rëndësi kësaj gjëje; rrugët e saj janë të gabuara, por ti nuk e kupton.

5:7 Prandaj tani, bij të mi, më dëgjoni dhe mos u largoni nga fjalët e gojës sime.

5:8 Mbaje larg prej saj rrugën tënde dhe mos iu afro portës së shtëpisë së saj,

5:9 për të mos ua dhënë të tjerëve fuqinë tënde dhe vitet e tua dikujt që nuk ka mëshirë.

5:10 Me qëllim që të huajt të mos ngopen me pasurinë tënde, dhe mundi yt të mos shkojë në shtëpinë e një të huaji,

5:11 dhe të mos rënkosh kur do të të vijë fundi, kur mishi dhe trupi yt do të jenë të konsumuar,

5:12 dhe të thuash: "Vallë si urreva mësimin, dhe si e ka përçmuar qortimin zemra ime?

5:13 Nuk dëgjova zërin e atyre që më mësonin dhe nuk ua vura veshin atyre që më udhëzonin.

5:14 U ndodha pothuajse në një të keqe të plotë në mes të turmës dhe të kuvendit".

5:15 Pi ujin e sternës sate dhe ujin e rrjedhshëm të pusit tënd.

5:16 A duhet burimet e tua të derdhen jashtë, si rrëke uji nëpër rrugë?

5:17 Qofshin vetëm për ty dhe jo për të huajtë bashkë me ty.

5:18 Qoftë i bekuar burimi yt dhe gëzohu me nusen e rinisë sate.

5:19 Drenushë e dashur dhe gazelë hirplotë, sisët e saj le të të kënaqin kurdoherë, dhe qofsh vazhdimisht i dhënë pas dashurisë që ke për të.

5:20 Pse vallë, biri im, të biesh në dashuri me një grua që ka shkelur kurorën dhe të rrokësh gjirin e një të huaje?

5:21 Sepse rrugët e njeriut janë gjithnjë përpara syve të Zotit, dhe ai vëzhgon të gjitha shtigjet e tij.

5:22 I pabesi zihet nga vetë paudhësitë e tij dhe mbahet nga litarët e mëkatit të tij.

5:23 Ai ka për të vdekur sepse nuk korrigjohet dhe do të zhduket për shkak të marrëzisë së tij.

6:1 Biri im, në qoftë se je bërë garant për të afërmin tënd, në rast se ke dhënë dorën si garanci për një të huaj,

6:2 je zënë në lakun e fjalëve të gojës sate, je zënë nga fjalët e gojës sate.

6:3 Bëj këtë, pra, biri im, dhe shpengohu, sepse ke rënë në duart e të afërmit tënd. Shko, hidhu në këmbët e tij dhe ngul këmbë me të madhe te i afërmi yt.

6:4 Mos u jep gjumë syve të tu as çlodhje qepallave të tua;

6:5 çlirohu si gazela nga dora e gjahtarit, si zogu nga dora e atij që kap zogjtë.

6:6 Shko te milingona, o përtac, vër re zakonet e saj dhe bëhu i urtë.

6:7 Ajo nuk ka as kryetar, as mbikëqyrës, as zot;

6:8 e gjen ushqimin në verë dhe mbledh zahirenë e saj gjatë korrjes.

6:9 Deri kur, o përtac, do të rrish duke fjetur? Kur do të shkundesh nga gjumi yt?

6:10 Të flesh pak, të dremitësh pak, të rrish me duar në ije për t'u çlodhur,

6:11 kështu varfëria jote do të vijë si një vjedhës, dhe skamja jote si një njeri i armatosur.

6:12 Njeriu pa vlerë, njeriu i keq, ecën me një gojë të çoroditur;

6:13 luan syrin, flet me këmbët, bën shenja me gishta;

6:14 ka ligësi në zemër, kurdis vazhdimisht të keqen dhe mbjell grindje.

6:15 Prandaj shkatërrimi i tij do të vijë papritur, në një çast do të shkatërrohet pa rrugëdalje tjetër.

6:16 Zoti i urren këto gjashtë gjëra, madje shtatë janë të neveritshme për të:

6:17 sytë krenare, gjuha gënjeshtare, duart që derdhin gjak të pafajshëm,

6:18 zemra që kurdis plane të këqija, këmbët që turren shpejt drejt së keqes,

6:19 dëshmitari i rremë që thotë gënjeshtra dhe ai që shtie grindje midis vëllezërve.

6:20 Biri im, ruaje urdhërimin e atit tënd dhe mos harro mësimet e nënës sate.

6:21 Mbaji vazhdimisht të lidhura në zemrën tënde dhe fiksoji rreth qafës sate.

6:22 Kur do të ecësh, do të të udhëheqin; kur të pushosh, do të të ruajnë; kur të zgjohesh, do të flasin me ty.

6:23 Sepse urdhërimi është një llambë, mësimi një dritë, dhe ndreqjet e mësimit janë rruga e jetës,

6:24 për të të mbrojtur nga gruaja e keqe, nga lajkat e gjuhës të gruas së huaj.

6:25 Mos dëshiro në zemrën tënde bukurinë e saj dhe mos u rrëmbe nga qepallat e saj.

6:26 Sepse për një prostitutë burri katandiset për një copë bukë, dhe gruaja e një tjetri gjuan shpirtin e vyer të një burri.

6:27 A mund të mbajë burri një zjarr në gji të tij pa djegur rrobat e trupit?

6:28 A mund të ecë burri mbi qymyr të ndezur pa djegur këmbët e tij?

6:29 Në këtë gjendje është ai që shkon tek gruaja e një tjetri; kush e prek nuk do të mbetet pa u ndëshkuar.

6:30 Nuk përçmohet hajduti që vjedh për të shuar urinë kur është i uritur;

6:31 por në rast se kapet në faj, duhet të kthejë shtatëfishin, dhe të japë tërë pasurinë e shtëpisë së tij.

6:32 Por ai që kryen një shkelje kurore me një grua është një njeri pa mend; ai që bën një gjë të tillë shkatërron jetën e tij.

6:33 Do të gjejë plagë dhe përçmim, dhe turpi i tij nuk do t'i hiqet kurrë.

6:34 sepse xhelozia e tërbon bashkëshortin, që do të jetë i pamëshirshëm ditën e hakmarrjes.

6:35 Ai nuk do të pranojë asnjë shpërblim dhe nuk do të kënaqet, edhe sikur t'i bëjnë shumë dhurata.

7:1 Biri im, ruaji fjalët e mia dhe urdhërimet e mia në veten tënde,

7:2 Ruaji urdhërimet e mia dhe ke për të jetuar; ruaji mësimet e mia si bebja e syve të tu.

7:3 Lidhi ndër gishta, shkruaji mbi tabelën e zemrës sate.

7:4 Thuaji diturisë: "Ti je motra ime" dhe quaje "shok" gjykimin,

7:5 me qëllim që të të ruajnë nga gruaja e tjetrit nga gruaja e huaj që përdor fjalë lajkatare.

7:6 Nga dritarja e shtëpisë sime shikoja nëpër parmakët prej hekuri

7:7 dhe pashë midis budallenjve; dallova midis të rinjve një djalë të ri që s'kishte gjykim,

7:8 që kalonte nëpër rrugë pranë qoshes të gruas së huaj dhe drejtohej nga shtëpia e saj,

7:9 në muzg, kur po ngryste dita, ndërsa zbriste nata e zezë dhe e errët.

7:10 I doli para një grua e veshur si prostitutë dhe dinake;

7:11 ajo është turbulluese dhe provokuese, dhe nuk di t'i mbajë këmbët në shtëpinë e saj;

7:12 herë mbi rrugë, herë në sheshet qëndron në pritë në çdo qoshe.

7:13 Kështu e zuri dhe e puthi, pastaj me paturpësi tha:

7:14 "Duhet të bëja flijimet e falenderimit; pikërisht sot i plotësova zotimet e mia;

7:15 prandaj të dola para që të të kërkoj dhe të gjeta.

7:16 E zbukurova shtratin tim me një mbulesë si sixhade, me li të ngjyrosur nga Egjipti;

7:17 e parfumova shtratin tim me mirrë, me aloe dhe me kanellë.

7:18 Eja, të dehemi me dashuri deri në mëngjes, të kënaqemi në qejfe dashurie,

7:19 sepse burri im nuk është në shtëpi, por ka shkuar në një udhëtim të gjatë;

7:20 ka marrë me vete një thes të vogël me pare dhe do të kthehet në shtëpi vetëm kur të jetë hëna e plotë".

7:21 Ajo e mashtroi me fjalë bindëse, e tërhoqi me ëmbëlsinë e buzëve të saj.

7:22 Ai e ndoqi pa mëdyshje, si një ka që shkon në thertore, si një i lidhur në dënimin e budallait,

7:23 deri sa një shigjetë nuk i shpon mëlçinë; ai nxiton si një zog, pa ditur që një lak është ngritur kundër jetës së tij.

7:24 Prandaj, bij të mi, më dëgjoni, kushtojuni kujdes fjalëve të gojës sime.

7:25 Zemra jote të mos shkojë pas rrugëve të saj, mos devijo nëpër shtigjet e saj,

7:26 sepse ka rrëzuar shumë të plagosur për vdekje, dhe tërë ata që ajo ka vrarë ishin burra të fortë.

7:27 Shtëpia e saj është rruga e Sheolit që zbret në thellësitë e vdekjes.

8:1 A nuk bërtet vallë dituria dhe maturia a nuk e bën zërin e saj të dëgjohet?

8:2 Ajo qëndron në këmbë mbi majën e lartësive, gjatë rrugës, në kryqëzimet e rrugëve;

8:3 bërtet pranë portave, në hyrje të qyteteve, në prag të dyerve;

8:4 "Ju drejtohem juve, o njerëz dhe zëri im u drejtohet bijve të njeriut.

8:5 Kuptoni, o njerëz të thjeshtë, maturinë, dhe ju, njerëz pa mend, kini një zemër të urtë.

8:6 Më dëgjoni, sepse do të flas për gjëra të rëndësishme dhe buzët e mia do të hapen për të thënë gjëra të drejta.

8:7 Sepse goja ime do të shpallë të vërtetën; pabesia është e neveritshme për buzët e mia.

8:8 Të gjitha fjalët e gojës sime janë të drejta, në to nuk ka asgjë të shtrembër dhe të çoroditur.

8:9 Janë të gjitha të drejta për atë që ka mend dhe për ata që kanë gjetur dijen.

8:10 Pranoni mësimin tim dhe jo argjendin, dijen në vend të arit të zgjedhur,

8:11 sepse dituria vlen më tepër se margaritarët, të gjitha gjërat që dikush mund dikush të dëshiroje nuk barazohen me të.

8:12 Unë, dituria, rri me maturinë dhe e gjej dijen në meditim.

8:13 Frika e Zotit është të urresh të keqen; unë e urrej kryelartësinë, arrogancën, rrugën e keqe dhe gojën e çoroditur.

8:14 Mua më takon mendimi dhe dituria e vërtetë; unë jam zgjuarsia, mua më përket forca.

8:15 Nëpërmjet meje mbretërojnë mbretërit dhe princat vendosin drejtësinë.

8:16 Nëpërmjet meje qeverisin krerët, fisnikët, tërë gjykatësit e tokës.

8:17 Unë i dua ata që më duan, dhe ata që më kërkojnë me kujdes më gjejnë.

8:18 Me mua janë pasuria dhe lavdia, pasuria që zgjat dhe drejtësia.

8:19 Fryti im është më i mirë se ari, po, se ari i kulluar, dhe prodhimi im më tepër se argjendi i zgjedhur.

8:20 Unë eci në rrugën e drejtësisë, në mes të shtigjeve të drejtësisë,

8:21 për t'i bërë ata që më duan të trashëgojnë pasurinë e vërtetë dhe për të mbushur thesaret e tyre.

8:22 Zoti më zotëroi në fillim të rrugës së tij, përpara veprave të tij më të lashta.

8:23 U vendosa nga amshimi, që në krye, para se toka të ekzistonte.

8:24 Më prodhuan kur nuk kishte ende humnera, kur nuk kishte burime me ujë të bollshëm.

8:25 Më prodhuan para se themelet e maleve të ishin përforcuar, para kodrinave,

8:26 kur nuk kishte sajuar ende as tokën, as fushat dhe as plisat e para të dheut.

8:27 Kur ai fiksonte qiejtë, unë isha aty; kur bënte një rreth mbi sipërfaqen e humnerës,

8:28 kur i bënte të qëndrueshëm qiejtë e epërm, kur përforconte burimet e humnerës,

8:29 kur i caktonte detit caqet e tij në mënyrë që ujërat të mos kalonin përtej urdhërit të tij, kur vendoste themelet e dheut,

8:30 unë isha pranë tij si një arkitekt, isha çdo ditë kënaqësia e tij, duke u gëzuar çdo çast para tij;

8:31 kënaqesha në pjesën e banueshme të botës dhe gjeja ëndjen time me bijtë e njerëzve.

8:32 Tani, pra, më dëgjoni, o bij; lum ata që ndjekin rrugët e mia!

8:33 Dëgjoni këto mësime, tregohuni të urtë dhe mos i hidhni poshtë!

8:34 Lum ai njeri që më dëgjon, duke u gdhirë çdo ditë te portat e mia dhe duke ruajtur shtalkat e portave të mia.

8:35 Sepse ai që më gjen, gjen jetën, dhe siguron përkrahjen e Zotit.

8:36 Por ai që mëkaton kundër meje, i bën të keqe vetvetes; të gjithë ata që më urrejnë duan vdekjen".

9:1 Dituria ka ndërtuar shtëpinë e saj, ka gdhendur shtatë shtyllat e saj.

9:2 Ka vrarë kafshët e saj, ka përzier verën e saj dhe shtruar tryezën e saj.

9:3 Ka dërguar jashtë shërbëtoret e saj; nga vendet më të larta të qytetit ajo thërret:

9:4 "Ai që është budalla të vijë këtu!". Atij që i mungon gjykimi i thotë:

9:5 "Ejani, hani nga buka ime dhe pini verën që kam përzier.

9:6 Lëreni budallallëkun dhe do të jetoni, ecni në rrugën e arsyes".

9:7 Ai që korrigjon tallësin tërheq mbi vete të shara, dhe ai që qorton të pabesin merr të shara.

9:8 Mos qorto tallësin sepse ai do të të urrejë; qorto të urtin dhe ai do të të dojë.

9:9 Mësoje të urtin dhe ai do të bëhet edhe më i urtë. Mësoje të drejtin dhe ai do të rritë diturinë e tij.

9:10 Frika e Zotit është parimi i diturisë, dhe njohja e të Shenjtit është zgjuarsia.

9:11 Sepse nëpërmjet meje do të shumohen ditët e tua dhe do të të shtohen vite jete.

9:12 Në rast se je i urtë, je i urtë për veten tënde; në rast se je tallës, pasojat do t'i kesh vetëm ti.

9:13 Gruaja budallaqe është zhurmëmadhe, aspak e zgjuar dhe nuk di asgjë.

9:14 Rri ulur te porta e shtëpisë së saj, mbi një fron në vendet e larta të qytetit,

9:15 për të ftuar ata që kalojnë nëpër rrugë, që shkojnë drejt në rrugën e tyre:

9:16 "Ai që është budalla të vijë këtu!". Dhe atij që i mungon arsyeja i thotë:

9:17 "Ujërat e vjedhura janë të ëmbla; buka që hahet fshehurazi është e shijshme".

9:18 Por ai nuk e di që atje janë të vdekurit, që të ftuarit e saj janë në thellësinë e Sheolit.

10:1 Fjalët e urta të Salomonit. Një fëmijë e urtë e gëzon të atin, por një fëmijë budalla i shkakton vuajtje nënes së vet.

10:2 Thesaret e padrejtësisë nuk japin dobi, por drejtësia të çliron nga vdekja.

10:3 Zoti nuk do të lejojë që i drejti të vuajë nga uria, por hedh poshtë dëshirën e të pabesëve.

10:4 Kush punon me dorë përtace varfërohet, por dora e njerëzve të zellshëm të bën të pasurohesh.

10:5 Ai që mbledh gjatë verës është një bir i matur, por ai që fle në kohën e korrjeve është një bir që të mbulon me turp.

10:6 Ka bekime mbi kokën e të drejtit, por dhuna e mbulon gojën e të pabesëve.

10:7 Kujtimi i të drejtit është në bekim, por emri i të pabesit do të kalbet.

10:8 Zemërurti i pranon urdhërimet, por fjalamani budalla do të rrëzohet.

10:9 Ai që ecën në ndershmëri ecën i sigurt, por ai që ndjek rrugë dredharake ka për t'u zbuluar.

10:10 Kush e shkel syrin shkakton vuajtje, por fjalamani budalla do të rrëzohet.

10:11 Goja e të drejtit është një burim jete, por dhuna e mbulon gojën e të pabesëve.

10:12 Urrejtja shkakton grindje, por dashuria mbulon të gjitha fajet.

10:13 Dituria gjendet mbi buzët e atyre që kanë mendje, por shkopi është për kurrizin e atyre që nuk kanë mend.

10:14 Të urtët grumbullojnë njohuri, por goja e budallait është një shkatërrim i shpejtë.

10:15 Begatia e të pasurit është qyteti i tij i fortë; shkatërrimi i të varfërit është varfëria e tyre.

10:16 Puna e të drejtit i shërben jetës, fitimi i të pabesit mëkatit.

10:17 Kush ruan mësimet është në rrugën e jetës; por kush nuk pranon kritikën humb.

10:18 Kush e maskon urrejtjen ka buzë gënjeshtare dhe ai që përhap shpifje është budalla.

10:19 Në fjalët e shumta faji nuk mungon, por ai që i frenon buzët e tij është i urtë.

10:20 Gjuha e të drejtit është argjend i zgjedhur, por zemra e të pabesëve vlen pak.

10:21 Buzët e të drejtit ushqejnë mjaft njerëz, por budallenjtë vdesin sepse nuk kanë mend.

10:22 Bekimi i Zotit pasuron dhe ai nuk shton asnjë vuajtje.

10:23 Kryerja e një kobi për budallanë është si një zbavitje; kështu është dituria për njeriun që ka mend.

10:24 Të pabesit i ndodh ajo nga e cila trembet, por njerëzve të drejtë u jepet ajo që dëshirojnë.

10:25 Kur kalon furtuna, i pabesi nuk është më, por i drejti ka një themel të përjetshëm.

10:26 Ashtu si uthulla për dhëmbët dhe tymi për sytë, kështu është dembeli për ata që e dërgojnë.

10:27 Frika e Zotit i zgjat ditët, por vitet e të pabesit do të shkurtohen.

10:28 Shpresa e të drejtëve është gëzimi, por pritja e të pabesëve do të zhduket.

10:29 Rruga e Zotit është një kala për njeriun e ndershëm, por është shkatërrim për ata që kryejnë padrejtësi.

10:30 I drejti nuk do të lëvizet kurrë, por të pabesët nuk do të banojnë në tokë.

10:31 Goja e të drejtit prodhon dituri, por gjuha e çoroditur do të pritet.

10:32 Buzët e të drejtit njohin atë që është e pranueshme; por goja e të pabesëve njeh vetëm gjëra të çoroditura.

11:1 Peshorja e pasaktë është e neveritshme për Zotin, por peshimi i saktë i pëlqen.

11:2 Kur vjen kryelartësia, vjen edhe turpi; por dituria është me njerëzit e thjeshtë.

11:3 Njerëzit e drejtë udhëhiqen nga ndershmëria, por ligësia e të pabesëve do t'i shkatërrojë këta.

11:4 Pasuritë nuk sjellin dobi ditën e zemërimit, por drejtësia të shpëton nga vdekja.

11:5 Drejtësia e njeriut të ndershëm i hap rrugën, por i pabesi bie për shkak të paudhësisë së tij.

11:6 Drejtësia e njerëzve të drejtë i çliron këta, por njerëzit e pabesë do të kapen nga vetë ligësia e tyre.

11:7 Kur vdes një i pabesë, shpresa e tij humb dhe shpresa e njerëzve të padrejtë davaritet.

11:8 I drejti çlirohet nga fatkeqësia, por i pabesi i zë vendin.

11:9 Me gojën e tij hipokriti shkatërron të afërmin e tij, por të drejtët çlirohen për shkak të dijes së tyre.

11:10 Kur të drejtët begatohen, qyteti gëzohet; por kur vdesin të pabesët, dëgjohen britma gëzimi.

11:11 Nga bekimi i njerëzve të drejtë qyteti ngrihet, por goja e të pafeve e çon në shkatërrim.

11:12 Kush e përbuz të afërmin e tij nuk ka mend, por njeriu i matur hesht.

11:13 Kush shkon rreth e qark duke përfolur, nxjerr sekretet, por ai që ka një shpirt besnik i fsheh ato.

11:14 Pa një udhëheqje të urtë populli bie, por gjen shpëtim në numrin e madh të këshilltarëve.

11:15 Kush bëhet garant për një të huaj do të pësojë dëmet e këtij veprimi, por ai që refuzon të japë dorën si garant është i sigurt.

11:16 Gruaja e bukur fiton lavdinë dhe njerëzit e dhunshëm grumbullojnë pasuri.

11:17 Njeriu i mëshirshëm i bën të mirë vetes, kurse njeriu mizor mundon mishin e tij.

11:18 I pabesi realizon një fitim të rremë, por ai që mbjell drejtësi do të ketë një shpërblim të sigurt.

11:19 Ashtu si drejtësia të çon në jetë, kështu ai që shkon pas të keqes gjen vdekjen.

11:20 Të çoroditurit nga zemra janë të neveritur për Zotin, por ata që janë të ndershëm në sjelljen e tyre pëlqehen nga ai.

11:21 Edhe kur i shtrëngon dorën një tjetri për një besëlidhje, njeriu i keq nuk do të mbetet i pandëshkuar, por pasardhësit e të drejtëve do të shpëtojnë.

11:22 Si një unazë ari në feçkën e një derri, kështu është një grua e bukur që nuk ka mend.

11:23 Dëshira e të drejtëve është vetëm e mira, por shpresa e të pabesëve është zemërimi.

11:24 Ka nga ata që shkapërderdhin bujari dhe bëhen më të pasur, dhe ka nga ata që kursejnë më tepër se duhet dhe bëhen gjithnjë e më të varfër.

11:25 Njeriu bujar do të pasurohet dhe ai që vadit do të vaditet gjithashtu.

11:26 Populli mallkon atë që nuk pranon të japë grurin, por bekimi bie mbi kokën e atij që e shet.

11:27 Kush kërkon me zell të mirën fiton dashamirësinë, por ai që kërkon të keqen, kjo do t'i bjerë mbi të.

11:28 Kush ka besim në pasuritë e tij do të rrëzohet, por të drejtët do të çelin si gjethe.

11:29 Ai që bën rrëmujë në shtëpinë e vet do të trashëgojë erën, dhe budallai do të jetë shërbëtori i atij që është i urtë nga zemra.

11:30 Fryti i të drejtit është një dru i jetës, dhe ai që shtie në dorë shpirtërat është i urtë.

11:31 Ja, i drejti merr shpërblimin mbi tokë, e aq më tepër i pabesi dhe mëkatari!

12:1 Kush e do korrigjimin do diturinë, por ai që e urren kritikën është budalla.

12:2 Njeriu i mirë gëzon përkrahjen e Zotit, por ky do të dënojë njeriun që sajon plane të këqija.

12:3 Njeriu nuk bëhet i qëndrueshëm me pabesinë, por rrënja e të drejtëve nuk do të lëvizet kurrë.

12:4 Gruaja e virtytshme është kurora e burrit të saj, por ajo që e turpëron është si një krimb në kockat e tij.

12:5 Mendimet e të drejtëve janë drejtësia, por synimet e të pabesëve janë mashtrimi.

12:6 Fjalët e të pabesëve rrinë në pritë për të derdhur gjak, por goja e njerëzve të drejtë do t'i çlirojë.

12:7 Të pabesët janë përmbysur dhe nuk janë më, por shtëpia e të drejtëve do të mbetet më këmbë.

12:8 Një njeri lëvdohet për gjykimin e tij, por ai që ka një zemër të çoroditur do të përçmohet.

12:9 Éshtë më mirë të të çmojnë pak dhe të kesh një shërbëtor, se sa të të nderojnë dhe të mos kesh bukë.

12:10 I drejti kujdeset për jetën e bagëtisë së tij, por të përbrendshmet e të pabesëve janë mizore.

12:11 Kush punon tokën e tij do të ngopet me bukë, por ai që shkon pas kotësive është pa mend.

12:12 I pabesi dëshiron gjahun e njerëzve të këqij, por rrënja e të drejtëve sjell fryt.

12:13 Njeriu i keq kapet në kurthin e mëkatit të buzëve të tij, por i drejti do t'i shpëtojë fatkeqësisë.

12:14 Njeriu do të ngopet me të mira për frytin e gojës së tij, dhe secili do të marrë shpërblimin simbas veprës së duarve të tij.

12:15 Rruga e budallait është e drejtë para syve të tij, por ai që dëgjon këshillat është i urtë.

12:16 Budallai e tregon menjëherë pezmatimin e tij, por njeriu i matur e fsheh turpin.

12:17 Ai që thotë të vërtetën shpall atë që është e drejtë, por dëshmitari i rremë thotë mashtrime.

12:18 Kush flet pa mend është si ai që shpon me shpatë, por gjuha e të urtëve sjell shërim.

12:19 Buza që thotë të vërtetën, do të bëhet e qëndrueshme përjetë, por gjuha që gënjen zgjat vetëm një çast.

12:20 Mashtrimi është në zemrën e atyre që kurdisin të keqen, por për ata që këshillojnë paqen ka gëzim.

12:21 Asnjë e keqe nuk do t'i ndodhë të drejtit, por të pabesët do të kenë plot telashe.

12:22 Buzët gënjeshtare janë të neveritshme për Zotin, por ata që veprojnë me çiltërsi i pëlqejnë atij.

12:23 Njeriu i matur e fsheh diturinë e tij, por zemra e budallenjve shpall budallallëkun e tyre.

12:24 Dora e njeriut të kujdeshëm do të sundojë, por dora e përtacëve do t'i nënshtrohet punës së detyrueshme.

12:25 Shqetësimi në zemrën e njeriut e rrëzon atë, por një fjalë e mirë e gëzon atë.

12:26 I drejti e zgjedh me kujdes shokun e tij, por rruga e të pabesëve i bën që të humbasin.

12:27 Përtaci nuk e pjek gjahun e tij, por kujdesi për njeriun është një pasuri e çmueshme.

12:28 Mbi shtegun e drejtësisë ka jetë, dhe mbi këtë shteg nuk ka vdekje.

13:1 Një bir i urtë dëgjon mësimet e atit të vet, por tallësi nuk e dëgjon qortimin.

13:2 Nga fryti i gojës së tij njeriu do të hajë atë që është e mirë, por shpirti i të pabesëve do të ushqehet me dhunë.

13:3 Kush kontrollon gojën e tij mbron jetën e vet, por ai që i hap shumë buzët e tij shkon drejt shkatërrimit.

13:4 Shpirti i përtacit dëshiron dhe nuk ka asgjë, por shpirti i atyre që janë të kujdesshëm do të kënaqet plotësisht.

13:5 I drejti e urren gënjeshtrën, por i pabesi është i neveritshëm dhe do të turpërohet.

13:6 Drejtësia ruan atë që ndjek një rrugë të ndershme, por pabesia e rrëzon mëkatarin.

13:7 Ka nga ata që sillen si një i pasur, por nuk kanë asgjë; përkundrazi ka nga ata që sillen si një i varfër, por kanë shumë pasuri.

13:8 Pasuritë e një njeriu shërbejnë për të shpërblyer jetën e tij, por i varfëri nuk ndjen asnjë kërcënim.

13:9 Drita e të drejtëve shkëlqen bukur, por llamba e të pabesëve do të shuhet.

13:10 Nga krenaria rrjedhin vetëm grindjet, por dituria është me ata që u kushtojnë kujdes këshillave.

13:11 Pasuria e përftuar në mënyrë jo të ndershme do të katandiset në pak gjëra, por atij që e grumbullon me mund do t'i shtohet ajo.

13:12 Pritja e zgjatur e ligështon zemrën, por dëshira e plotësuar është një dru i jetës.

13:13 Ai që përçmon fjalën do të shkatërrohet, por ai që respekton urdhërimin do të shpërblehet.

13:14 Mësimet e të urtit janë burim jete për t'i evituar dikujt leqet e vdekjes.

13:15 Gjykimi i mirë siguron favor, por veprimi i të pabesëve është i dëmshëm.

13:16 Çdo njeri i matur vepron me dituri, por budallai kapardiset me marrëzinë e tij.

13:17 Lajmëtari i keq bie në telashe, por lajmëtari besnik sjell shërim.

13:18 Mjerimi dhe turpi do të vjinë mbi atë që nuk pranon korrigjimin, por ai që dëgjon qortimin do të nderohet.

13:19 Dëshira e realizuar është e ëmbël për shpirtin, por për budallenjtë është një gjë e neveritshme largimi nga e keqja.

13:20 Kush shkon me të urtët bëhet i urtë, por shoku i budallenjve do të bëhet i keq.

13:21 E keqja përndjek mëkatarët, por i drejti do të shpërblehet me të mirën.

13:22 Njeriu i mirë i lë një trashëgim bijve të bijve të tij, por pasuria e mëkatarit vihet mënjanë për të drejtin.

13:23 Ara e punuar e të varfërve jep ushqim me shumicë, por ka nga ata që vdesin për mungesë drejtësie.

13:24 Kush e kursen shufrën urren birin e vet, por ai që e do e korrigjon me kohë.

13:25 I drejti ha sa të ngopet, por barku i të pabesëve vuan nga uria.

14:1 Gruaja e urtë ndërton shtëpinë e saj, por budallaqja e shkatërron me duart e veta.

14:2 Kush ecën në drejtësinë e tij ka frikë nga Zoti, por ai që çoroditet në rrugët e tij e përçmon atë.

14:3 Në gojën e budallait gjejmë farën e kryelartësisë, por të urtët e ruajnë gojën e tyre.

14:4 Aty ku nuk ka qe grazhdi është bosh, por bollëku i korrjes qëndron në forcën e kaut.

14:5 Dëshmitari i ndershëm nuk gënjen, por dëshmitari i rremë thotë gënjeshtra.

14:6 Tallësi kërkon diturinë dhe nuk e gjen, por dija është një gjë e lehtë për atë që ka mend.

14:7 Largohu nga njeriu budalla sepse nuk do të gjesh dituri mbi buzët e tij.

14:8 Dituria e njeriut të matur qëndron në të dalluarit e rrugës së tij, por marrëzia e budallenjve është mashtrim.

14:9 Budallenjtë qeshin me mëkatin, por midis njerëzve të drejtë është falja.

14:10 Zemra njeh trishtimin e vet, por një i huaj nuk mund të marrë pjesë në gëzimin e saj.

14:11 Shtëpia e të pabesëve do të shkatërrohet, por çadra e njerëzve të drejtë do të lulëzojë.

14:12 Éshtë një rrugë që njeriut i duket e drejtë, por në fund ajo të nxjerr në rrugët e vdekjes.

14:13 Edhe kur qesh, zemra mund të jetë e pikëlluar, dhe vetë gëzimi mund të përfundojë në vuajtje.

14:14 Zemërpërdali do të ngopet me rrugët e tij, dhe njeriu i mirë do të ngopet me frytet e tij.

14:15 Budallai i beson çdo fjale, por njeriu i matur tregon kujdes të veçantë për hapat e tij.

14:16 Njeriu i urtë i trëmbet së keqes dhe largohet prej saj, por budallai zemërohet dhe është fodull.

14:17 Ai që zemërohet me lehtësi kryen marrëzi dhe njeriu që ka qëllime të këqija është i urryer.

14:18 Teveqelit e trashëgojnë budallallëkun, por njerëzit e matur kurorëzohen me dije.

14:19 Njerëzit e këqij do të përkulen përpara njerëzve të mirë dhe të pabesët në portat e të drejtëve.

14:20 Të varfërin e urren vetë miku i tij, por i pasuri ka shumë miklues.

14:21 Kush përçmon të afërmin e vet, mëkaton, por ai që ka mëshirë për të varfërit është i lumtur.

14:22 A nuk devijojnë, vallë nga rruga e drejtë ata që kurdisin të keqen? Por ata që mendojnë të mirën kanë për të gjetur mirësi dhe të vërtetën.

14:23 Në çdo mundim ka një fitim, por fjalët e kota çojnë vetëm në varfëri.

14:24 Kurora e njerëzve të urtë është pasuria e tyre, por marrëzia e budallenjve është marrëzi.

14:25 Një dëshmitar që thotë të vërtetën shpëton jetën e njerëzve, por një dëshmitar i rremë thotë gënjeshtra.

14:26 Në frikën e Zotit gjendet një siguri e madhe, dhe bijtë e tij do të kenë një vend strehimi.

14:27 Frika e Zotit është një burim jete, që i shmang leqet e vdekjes.

14:28 Lavdia e mbretit qëndron në turmën e popullit, por shkatërrimi i princit qëndron në mungesën e njerëzve.

14:29 Kush është i ngadalshëm në zemërim është shumë i matur, por ai që rrëmbehet me lehtësi vë në dukje marrëzinë e tij.

14:30 Një zemër e shëndoshë është jetë për trupin, por lakmia është krimbi brejtës i kockave.

14:31 Kush shtyp të varfërin fyen rëndë atë që e ka bërë, por ai që ka mëshirë për nevojtarin e nderon atë.

14:32 I pabesi përmbyset nga vetë ligësia e tij, por i drejti ka shpresë në vetë vdekjen e tij.

14:33 Dituria prehet në zemrën e atij që ka mend, por ajo që është në zemrën e budallenjve merret vesh.

14:34 Drejtësia e larton një komb, por mëkati është turpi i popujve.

14:35 Dashamirësia e mbretit është për shërbëtorin që vepron me urtësi, por zemërimi i tij është kundër atij që sillet me paturpësi.

15:1 Përgjigja e ëmbël e fashit zemërimin, por fjala therëse e nxit zemërimin.

15:2 Gjuha e të urtëve përdor dijen ndershmërisht, por goja e budallenjve nxjerr marrëzira.

15:3 Sytë e Zotit janë kudo për të shikuar të këqijtë dhe të mirët.

15:4 Një gjuhë e shëndoshë është një dru i jetës, por gjuha e çoroditur e sfilit shpirtin.

15:5 Budallai e përçmon korrigjimin e atit të tij, por ai që e çmon kritikën vepron me zgjuarsi.

15:6 Në shtëpinë e të drejtit ka bollëk të madh, por në të ardhurat e të pabesit ka telashe.

15:7 Buzët e të urtëve përhapin dijen, por nuk vepron kështu zemra e budallenjve.

15:8 Sakrifica e të pabesëve është një neveri për Zotin, por lutja e njerëzve të drejtë i pëlqen atij.

15:9 Rruga e të pabesit është një neveri për Zotin, por ai do atë që ndjek drejtësinë.

15:10 Një qortim i rëndë pret atë që braktis rrugën e drejtë, ai që urren kritikën ka për të vdekur.

15:11 Sheoli dhe Abadoni janë para Zotit; ca më tepër janë zemrat e bijve të njerëzve!

15:12 Tallësi nuk e do atë që e kritikon; ai nuk shkon tek të urtët.

15:13 Një zemër e gëzuar e bën të lumtur fytyrën, por nga pikëllimi i zemrës fryma dërrmohet.

15:14 Zemra e njeriut me mend kërkon dijen, por goja e budallenjve ushqehet me marrëzi.

15:15 Të gjitha ditët e të varfërit janë të këqija, por për një zemër të kënaqur ka festë përherë.

15:16 Më mirë pak me frikën e Zotit, se sa një thesar i madh me shqetësime.

15:17 Më mirë një pjatë me perime në të cilën ka dashuri se sa një ka i majmur në të cilin ka urrejtje.

15:18 Njeriu gjaknxehtë nxit grindje, por ai që nuk zemërohet shpejt i qetëson grindjet.

15:19 Rruga e përtacit është si një gardh ferrash, por shtegu i njerëzve të drejtë është i sheshtë.

15:20 Biri i urtë gëzon të atin, por njeriu budalla përçmon të ëmën.

15:21 Marrëzia është gëzim për atë që nuk ka mend, por njeriu që ka mend ecën drejt.

15:22 Planet dështojnë ku nuk ka arsye, por realizohen atje ku ka një mori këshilltarësh.

15:23 Një njeri ndjen gëzim kur mund të jap një përgjigje dhe sa e mirë është fjala që thuhet në kohën e duhur!

15:24 Njeriun e matur rruga e jetës e çon lart në mënyrë që të evitojë Sheolin poshtë.

15:25 Zoti do të shkatërrojë shtëpinë e krenarëve, por do t'i bëjë të qëndrueshëm kufijtë e gruas së ve.

15:26 Mendimet e këqija janë të neveritshme për Zotin, por fjalët e ëmbla janë të pastra.

15:27 Kush lakmon fitime vë në rrezik shtëpinë e vet, por ai që i urren dhuratat ka për të jetuar.

15:28 Zemra e të drejtit mendon thellë se si duhet të përgjigjet, por goja e të pabesit vjell gjëra të këqija.

15:29 Zoti u rri larg të pabesëve, por dëgjon lutjet e të drejtëve.

15:30 Drita e syve gëzon zemrën, një lajm i mirë i fortëson kockat.

15:31 Veshi që e dëgjon kritikën e jetës ka për të qëndruar bashkë me të urtët.

15:32 Kush nuk pranon qortimin e përçmon vetë shpirtin e tij, por ai që dëgjon qortimin bëhet më i urtë.

15:33 Frika e Zotit është një mësim diturie, dhe përpara lavdisë vjen përulësia.

16:1 Prirjet e zemrës i përkasin njeriut, por përgjigja e gjuhës vjen nga Zoti.

16:2 Të gjitha rrugët e njeriut janë të pastra në sytë e tij, por Zoti i peshon frymët.

16:3 Besoja Zotit veprimet e tua dhe planet e tua do të realizohen.

16:4 Zoti ka bërë çdo gjë për vete të tij, edhe të pabesin për ditën e fatkeqësisë.

16:5 Ai që është zemërkrenar është i neveritshëm për Zotin; edhe sikur t'i shtrëngojë dorën një tjetri për besëlidhje, nuk ka për të mbetur pa u ndëshkuar.

16:6 Me mirësinë dhe me të vërtetën padrejtësia shlyhet, dhe me frikën e Zotit njeriu largohet nga e keqja.

16:7 Kur Zotit i pëlqejnë rrugët e një njeriu, ai bën që edhe armiqtë e tij të bëjnë paqe me të.

16:8 Më mirë të kesh pak me drejtësi, se sa të ardhura të mëdha pa drejtësi.

16:9 Zemra e njeriut programon rrugën e tij, por Zoti drejton hapat e tij.

16:10 Mbi buzët e mbretit është një vendim hyjnor; gjatë gjykimit goja e tij nuk duhet të gabojë.

16:11 Kandari dhe peshoret e sakta janë të Zotit, të gjitha gurët e peshës janë vepër e tij.

16:12 Éshtë një gjë e neveritshme për mbretërit të bëjnë të keqen, sepse froni bëhet i qëndrueshëm me drejtësinë.

16:13 Buzët e drejta u pëlqejnë mbretërve; ata e duan atë që flet drejt.

16:14 Zemërimi i mbretit është si lajmëtari i vdekjes, por njeriu i urtë do ta qetësojë atë.

16:15 Në dritën e fytyrës së mbretit ka jetë, dhe favori i tij është si reja e shiut të fundit.

16:16 Éshtë më mirë të fitosh dituri se sa ar, dhe të fitosh mënçuri se sa argjend.

16:17 Rruga kryesore e njerëzve të drejtë është të evitojnë të keqen; ai që do ta ruajë shpirtin e tij mbikqyr rrugën e tij.

16:18 Përpara shkatërrimit vjen kryelartësia dhe përpara rrëzimit fryma krenare.

16:19 Më mirë të kesh frymë të përulur me të mjerët se sa të ndash prenë me krenarët.

16:20 Kush i kushton kujdes Fjalës do të gjejë të mirën, dhe kush i beson Zotit është i lumtur.

16:21 I urti nga zemra do të quhet i matur, dhe ëmbëlsia e buzëve e shton diturinë.

16:22 Mendja është një burim jete për atë që e zotëron, por budallallëku është dënimi i budallenjve.

16:23 Zemra e të urtit e bën të mençur gojën e tij dhe e shton diturinë e buzëve të tij.

16:24 Fjalët e ëmbla janë si një huall mjalti, ëmbëlsi për shpirtin dhe ilaç për kockat.

16:25 Ka një rrugë që njeriut i duket e drejtë, por në fund ajo të nxjerr në udhët e vdekjes.

16:26 Personi që lodhet, lodhet për veten e tij, sepse goja e tij e nxit.

16:27 Njeriu i keq kurdis të keqen dhe mbi buzët e tij ka si një zjarr të ndezur.

16:28 Njeriu i çoroditur mbjell grindje dhe ai që shpif përçan miqtë më të mirë.

16:29 Njeriu i dhunës e josh shokun e vet dhe e çon nëpër një rrugë jo të mirë.

16:30 Kush mbyll sytë për të kurdisur gjëra të këqija, kafshon buzët kur shkakton të keqen.

16:31 Flokët e bardha janë një kurorë lavdie; atë e gjejmë në rrugën e drejtësisë.

16:32 Kush nuk zemërohet shpejt vlen më tepër se një luftëtar i fortë, dhe ai që e urdhëron frymën e tij vlen më tepër se ai që mposht një qytet.

16:33 Shorti hidhet që në barkun e nënës, por çdo veprim varet nga Zoti.

17:1 Éshtë më mirë një copë bukë thatë me paqe se sa një shtëpi plot me kafshë të vrara me grindje.

17:2 Shërbëtori që vepron me urtësi ka për të sunduar mbi të birin që e turpëron dhe do të marrë një pjesë të trashëgimisë bashkë me vëllezërit.

17:3 Poçi është për argjendin dhe furra për arin, por ai që provon zemrat është Zoti.

17:4 Njeriu i keq dëgjon buzët e liga, gënjeshtari dëgjon gjuhën e çoroditur.

17:5 Ai që përqesh të varfërin fyen Atë që e ka krijuar; ai që kënaqet me fatkeqësinë e tjetrit nuk do të mbetet pa u ndëshkuar.

17:6 Bijtë e bijve janë kurora e pleqve, dhe lavdia e bijve janë etërit e tyre.

17:7 Budallait nuk i shkon një e folur e bukur, aq më pak princit nuk i shkojnë buzë gënjeshtare,

17:8 Një dhuratë është një gur i çmuar në sytë e atij që e ka; ngado që kthehet, ai ia del.

17:9 Kush mbulon një faj fiton dashuri, por kush i rikthehet përsëri ndan miqtë më të mirë.

17:10 Një qortim depërton më thellë te njeriu me mend se sa njëqind goditje te budallai.

17:11 Njeriu i keq nuk kërkon gjë tjetër veç të ngrerë krye, prandaj do të dërgohet kundër tij një lajmëtar mizor.

17:12 Éshtë më mirë të takosh një harushë se cilës i kanë vjedhur këlyshët e vet se sa një budalla në marrëzinë e tij.

17:13 E keqja nuk do të largohet nga shtëpia e atij që së mirës i përgjigjet me të keqen.

17:14 Të fillosh një grindje është sikur t'u çelësh rrugë ujërave; prandaj ndërprite grindjen përpara se të acarohet.

17:15 Ai që nxjerr të pafajshëm fajtorin dhe ai që dënon të drejtin janë që të dy të neveritshëm për Zotin.

17:16 Ç'duhet paraja në duart e budallait? Mos vallë për të blerë dituri, kur ai nuk ka mend fare?

17:17 Miku të do në çdo kohë, por vëllai lind për ditë të vështira.

17:18 Njeriu që nuk ka mend jep dorën si garanci dhe merr zotime për të afërmin e tij.

17:19 Ai që do mëkatin i do grindjet, dhe ai që ngre portën e tij kërkon rrënim.

17:20 Njeriu zemërshthurur nuk gjen asnjë të mirë, dhe ai që ka gjuhën e çoroditur bie në telashe.

17:21 Atij që i lind një budalla do t'i vijnë hidhërime dhe ati i një budallai nuk mund të ketë gëzim.

17:22 Një zemër e gëzuar është një ilaç i mirë, por një frymë e dërrmuar i than kockat.

17:23 I pabesi pranon dhurata fshehurazi për të prishur rrugët e drejtësisë.

17:24 Dituria qëndron para atij që ka mend, por sytë e budallait enden deri në cepat më të largëta të dheut.

17:25 Biri budalla është një burim vuajtjesh për atin e tij dhe hidhërim për atë që e ka lindur.

17:26 Nuk është mirë të dënosh të drejtin, as të godasësh princat për ndershmërinë e tyre.

17:27 Kush i mat fjalët e veta ka dije, dhe kush ka një shpirt të qetë është njeri i matur.

17:28 Budallai, edhe kur hesht, konsiderohet i urtë dhe, kur i mban të mbyllura buzët e tij, konsiderohet i zgjuar.

18:1 Kush veçohet kërkon kënaqësinë e tij dhe zemërohet kundër gjithë diturisë së vërtetë.

18:2 Budallai nuk gjen kënaqësi te maturia, por vetëm në të vënit në dukje të zemrës së tij.

18:3 Kur vjen i pabesi vjen edhe përçmimi dhe bashkë me humbjen e nderit vjen turpi.

18:4 Fjalët e gojës së një njeriu janë ujëra të thella; burimi i diturisë është si një rrjedhë uji që shkon duke gurgulluar.

18:5 Nuk është mirë të preferosh të pabesin, apo të shkaktosh humbjen e të drejtit në gjyq.

18:6 Buzët e budallait të çojnë në grindje, dhe goja e tij kërkon goditje.

18:7 Goja e budallait është shkatërrimi i tij dhe buzët e tij janë një lak për jetën e tij.

18:8 Fjalët e shpifësit janë si një gjellë shumë e shijshme që zbret thellë në zorrë.

18:9 Edhe ai që është përtac në punën e tij është vëlla i planprishësit.

18:10 Emri i Zotit është një kala e fortë, tek ai turret i drejti dhe gjen siguri.

18:11 Pasuria e kamësit është qyteti i tij i fortë dhe simbas mendimit të tij ajo është si një mur i lartë.

18:12 Përpara shkatërrimit, zemra e njeriut ngrihet, por para lavdisë vjen përulësia.

18:13 Kush jep përgjigje për një çështje para se ta ketë dëgjuar, tregon marrëzinë e tij për turp të vet.

18:14 Fryma e njeriut i jep krahë në sëmundjen e tij, por kush mund ta ngrerë një frymë të demoralizuar?

18:15 Zemra e njeriut të matur fiton dituri, edhe veshi i të urtëve kërkon diturinë.

18:16 Dhurata e njeriut i hap rrugën dhe e çon në prani të të mëdhenjve.

18:17 I pari që mbron çështjen e vet duket sikur ka të drejtë; por pastaj vjen tjetri dhe e shqyrton.

18:18 Fati u jep fund grindjeve dhe i ndan të fuqishmit.

18:19 Një vëlla i fyer është si një qytet i fortë; dhe grindjet janë si shulat e një kalaje.

18:20 Njeriu e ngop barkun me frytin e gojës së tij, ai ngopet me prodhimin e buzëve të tij.

18:21 Vdekja dhe jeta janë nën pushtetin e gjuhës; ata që e duan do të hanë frytet e saj.

18:22 Kush ka gjetur grua ka gjetur një gjë të mirë dhe ka siguruar një favor nga Zoti.

18:23 I varfëri flet duke u lutur, kurse i pasuri përgjigjet me ashpërsi.

18:24 Njeriu që ka shumë miq duhet gjithashtu të tregohet mik, por është një mik që është më i lidhur se një vëlla.

19:1 Éshtë më i mirë një i varfër që ecën në ndershmërinë e tij se sa ndonjë që është i çoroditur nga buzët dhe që është budalla.

19:2 Përveç kësaj nuk është mirë që një shpirt të jetë pa dije; kush ecën me hapa të shpejta gabon rrugë.

19:3 Budallallëku i njeriut e bën rrugën e tij të rrëshqitshme dhe zemra e tij pezmatohet kundër Zotit.

19:4 Pasuritë sigurojnë një numër të madh miqsh, por i varfëri ndahet nga vet miku i tij.

19:5 Dëshmitari i rremë nuk do të mbetet pa u ndëshkuar dhe ai që thotë gënjeshtra nuk do të ketë shpëtim.

19:6 Të shumtë janë ata që kërkojnë favorin e princit dhe të gjithë janë miq të atij që bën dhurata.

19:7 Të gjithë vëllezërit e të varfërit e urrejnë atë, aq më tepër largohen prej tij miqtë e vet. Ai mund t'u shkojë pas me fjalë, por ata nuk gjenden më.

19:8 Kush fiton mënçuri do vetë jetën e tij dhe ai që mbetet i matur do të gjejë të mirën.

19:9 Dëshmitari i rremë nuk do të mbetet pa u ndëshkuar, dhe ai që thotë gënjeshtra do të humbasë.

19:10 Të jetuarit në kënaqësi nuk i shkon budallait, dhe aq më pak një shërbëtori të sundojë mbi princat.

19:11 Mënçuria e bën njeriun të mos rrëmbehet shpejt nga zemërimi dhe është në lavdinë e tij t'i kapërcejë fyerjet.

19:12 Zemërimi i mbretit është si ulërima e një luani, por favori i tij është si vesa mbi bar.

19:13 Një bir budalla është një fatkeqësi për të atin, dhe grindjet e vazhdueshme të bashkëshortes së tij janë si një e pikuar e vazhdueshme.

19:14 Shtëpia dhe pasuritë janë trashëgimi nga etërit, por një bashkëshorte e mënçur vjen nga Zoti.

19:15 Përtacia të bën të biesh në një gjumë të thellë dhe njeriu i plogët do të vuajë nga uria.

19:16 Kush respekton urdhërimin ruan jetën e tij, por ai që lë pas dore sjelljen e tij ka për të vdekur.

19:17 Ai që ka mëshirë për të varfërin i jep hua Zotit, i cili do t'ia kthejë ato që i ka dhënë.

19:18 Ndëshko birin tënd sa ka shpresë, por mos u shty deri sa të shkaktosh vdekjen e tij.

19:19 Njeriu shumë gjaknxehtë duhet të ndëshkohet si pasojë e kësaj, sepse po nuk u ndëshkua, ai do të bëhet edhe më tepër gjaknxehtë.

19:20 Dëgjo këshillën dhe prano mësimet, që ti të bëhesh i urtë për kusurin e ditëve të tua.

19:21 Ka shumë plane në zemrën e njeriut, por vetëm plani i Zotit do të mbetet i pandryshuar.

19:22 Ajo që dëshiron njeriu është mirësia dhe një i varfër vlen më tepër se një gënjeshtar.

19:23 Frika e Zotit të çon në jetë; kush e ka do të mbetet i ngopur dhe nuk do të preket nga asnjë e keqe.

19:24 Përtaci e zhyt dorën e tij në pjatë, por nuk arrin as ta çojë në gojë.

19:25 Godite tallësin dhe njeriu i thjeshtë do të bëhet mëndjehollë; qorto atë që ka mend dhe ai do të fitojë dituri.

19:26 Kush përdor dhunë me të atin dhe dëbon nënen e tij, është një faqenxirë dhe me turp.

19:27 Biri im, mos dëgjo më mësimet, dhe do të largohesh nga fjalët e diturisë.

19:28 Dëshmitari i lig tallet me drejtësinë dhe goja e të pabesëve gëlltit padrejtësinë.

19:29 Ndëshkimet janë përgatitur për tallësit dhe goditjet për kurrizin e budallenjve.

20:1 Vera është tallëse, pija dehëse është e turbullt dhe kush jepet pas tyre nuk është i urtë.

20:2 Frika e mbretit është si ulërima e luanit; kush ia nxit zemërimin mëkaton kundër vetë jetës së vet.

20:3 Éshtë një lavdi për njeriun t'u shmanget grindjeve, por çdo budalla përzihet në to.

20:4 Përtaci nuk lëron për shkak të të ftohtit; për pasojë do të lypë në kohën e vjeljeve, por nuk do të ketë asgjë.

20:5 Këshilla në zemrën e njeriut është si uji i thellë, por njeriu me mend do të dijë të mbushë nga ai ujë.

20:6 Shumë njerëz shpallin mirësinë e tyre; por kush mund të gjejë një njeri besnik?

20:7 I drejti ecën në ndershmërinë e tij; bijtë e tij do të bekohen pas atij.

20:8 Një mbret që ulet mbi fronin e gjyqit davarit me vështrimin e tij çdo të keqe.

20:9 Kush mund të thotë: "Pastrova zemrën time, jam i pastruar nga mëkati im"?

20:10 Peshimi i dyfishtë dhe matja e dyfishtë janë që të dyja gjëra të neveritshme për Zotin.

20:11 Edhe fëmija me veprimet e tij tregon në se ajo që bën është e pastër dhe e ndershme.

20:12 Veshin që dëgjon dhe syrin që sheh i ka bërë që të dy Zoti.

20:13 Mos e duaj gjumin që të mos varfërohesh; mbaji sytë hapur dhe do të kesh bukë sa të ngopesh.

20:14 "Éshtë i keq, është i keq", thotë blerësi; por mbasi ai ka ikur, lavdërohet për blerjen.

20:15 Ka flori dhe margaritarë të shumtë, por buzët e pasura me dije janë një xhevahir i çmuar.

20:16 Merr rroben e atij që është bërë garant për një të huaj, dhe mbaje si peng për gruan e huaj.

20:17 Buka e nxjerrë me hile është e ëmbël për njeriun, por pastaj goja e tij do të mbushet me zaje.

20:18 Planet bëhen të qëndrueshme nga këshilla; prandaj bëje luftën me këshilla të urta.

20:19 Ai që shkon poshtë e lart duke përfolur tregon sekretet; prandaj mos u shoqëro me atë që flet tepër.

20:20 Atij që mallkon të atin dhe të ëmën, llamba do t'i shuhet në terrin më të madh.

20:21 Trashëgimia e fituar me nxitim në fillim, nuk do të bekohet në fund.

20:22 Mos thuaj: "Do t'i përgjigjem së keqes me të keqen"; ki shpresë te Zoti dhe ai do të të shpëtojë.

20:23 Peshimi i dyfishtë është i neveritshëm për Zotin dhe peshorja e pasaktë nuk është një gjë e mirë.

20:24 Hapat e njeriut vijnë nga Zoti; si mund ta njohë, pra, njeriu rrugën e vet?

20:25 Éshtë një kurth për njeriun të marrë një zotim pa e matur mirë dhe, mbasi ta ketë marrë, të mendohet.

20:26 Një mbret i urtë i shpartallon njerëzit e këqij dhe kalon mbi ta rrotën.

20:27 Shpirti i njeriut është llamba e Zotit, që vëzhgon tërë skutat më të fshehta të zemrës.

20:28 Mirësia dhe besnikëria ruajnë mbretin; ai e bën të qëndrueshëm fronin e tij me anë të mirësisë.

20:29 Lavdia e të rinjve është forca e tyre, nderi i pleqve janë thinjat e tyre.

20:30 Të rrahurat që lënë plagë të thella e heqin të keqen, ashtu si goditjet që vijnë në pjesën më të brendshme të zorrëve.

21:1 Zemra e mbretit në duart e Zotit është si rrjedhat e ujit; atë e drejton ngado që do ai.

21:2 Çdo rrugë e njeriut është e drejtë në sytë e tij, por Zoti i peshon zemrat.

21:3 Të zbatosh drejtësinë dhe paanësinë është një gjë që i pëlqen Zotit më shumë se flijimi.

21:4 Sytë krenarë dhe një zemër kryelartë, që janë llamba e të pabesëve, janë mëkat.

21:5 Synimet e njeriut të kujdesshëm çojnë me siguri në bollëk, por ai që ngutet do të bjerë me siguri në varfëri.

21:6 Të përftosh thesare me një gjuhë gënjeshtare është një kotësi kalimtare e atij që kërkon vdekjen.

21:7 Dhuna e të pabesëve merr tutje, sepse ata nuk pranojnë të zbatojnë drejtësinë.

21:8 Rruga e njeriut të fajshëm është dredha-dredha, por njeriu i drejtë vepron ndershmërisht.

21:9 Éshtë më mirë të banosh mbi qoshen e një çatie se sa në një shtëpi bashkë me një grua grindavece.

21:10 Shpirti i të pabesit dëshiron të keqen; as shoku i tij nuk gjen mëshirë në sytë e tij.

21:11 Kur tallësi ndëshkohet, i thjeshti bëhet i urtë; por kur i urti mësohet ai fiton dije.

21:12 I drejti vëren me kujdes shtëpinë e të pabesit dhe përmbys të pabesët, sepse janë të këqij.

21:13 Kush mbyll veshin ndaj britmës së të varfërit, do të bërtasë edhe ai, por nuk do të ketë përgjigje.

21:14 Një dhuratë që bëhet fshehtas e fashit zemërimin dhe një dhuratë që jepet nën dorë qetëson zemërimin e fortë.

21:15 Të bësh atë që është e drejtë është një gëzim për të drejtin, por është një rrënim për ata që kryejnë paudhësi.

21:16 Njeriu që largohet nga rruga e maturisë ka për të banuar në kuvendin e të vdekurve.

21:17 Ai që i do qejfet do të jetë në varfëri, ai që e do verën dhe vajin nuk do të pasurohet.

21:18 I pabesi do t'i shërbejë si shpërblim të drejtit; dhe i paudhi në vend të njerëzve të drejtë.

21:19 Éshtë më mirë të banosh në një shkretëtirë se sa me një grua grindavece dhe ngacmuese.

21:20 Në shtëpinë e të urtit ka një thesar të çmuar dhe vaj, por njeriu budalla i bën të gjitha rrush e kumbulla.

21:21 Kush ndjek drejtësinë dhe dhembshurinë ka për të gjetur jetën, drejtësinë dhe lavdinë.

21:22 I urti ngjitet në qytetin e njerëzve të fortë dhe rrëzon forcën në të cilën kishte besim.

21:23 Kush ruan gojën dhe gjuhën e tij mbron jetën e tij nga fatkeqësitë.

21:24 Emri i krenarit pa cipë është: "tallës"; ai çdo gjë e bën me një mburrje të tepruar.

21:25 Dëshirat e përtacit e vrasin atë, sepse duart e tij nuk pranojnë të punojnë.

21:26 Ai dëshiron me zjarr tërë ditën, por i drejti dhuron duke mos refuzuar kurrë.

21:27 Flijimi i të pabesit është gjë e neveritshme, aq më tepër në rast se e ofron me qëllim të keq.

21:28 Dëshmitari i rremë do të vdesë, por njeriu që e dëgjon do të mund të flasë gjithnjë.

21:29 I pabesi e fortëson fytyrën e tij, por njeriu i drejtë e bën të qëndrueshme rrugën e tij.

21:30 Nuk ka as dituri, as zgjuarësi dhe as këshillë kundër Zotit.

21:31 Kali është gati për ditën e betejës, por fitorja i përket Zotit.

22:1 Një nam i mirë është më i pëlqyeshëm se pasuritë e mëdha, dhe hiri është më i pëlqyeshëm se argjendi dhe ari.

22:2 I pasuri dhe i varfëri kanë këtë të përbashkët: të dy i ka bërë Zoti.

22:3 Njeriu i matur e shikon të keqen dhe fshihet; por njerëzit naivë shkojnë tutje dhe dënohen.

22:4 Çmimi i përvujtërisë është frika e Zotit, pasuria, lavdia dhe jeta.

22:5 Ferra dhe leqe gjenden në udhën e të çoroditurit; kush kujdeset për jetën e vet rri larg tyre.

22:6 Mësoji fëmijës rrugën që duhet të ndjekë, dhe ai nuk do të largohet prej saj edhe kur të plaket.

22:7 I pasuri sundon mbi të varfërit, dhe huamarrësi është skllav i huadhënësit.

22:8 Kush mbjell padrejtësi ka për të korrur telashe dhe shufra e zemërimit të tij do të asgjesohet.

22:9 Njeriu me sy dashamirës do të bekohet, sepse i jep bukë të varfërit.

22:10 Përzëre tallësin dhe grindjet do të ikin bashkë me të; po, grindjet dhe fyerjet do të pushojnë.

22:11 Kush e do pastërtinë e zemrës dhe ka hir mbi buzët do ta ketë shok mbretin.

22:12 Sytë e Zotit ruajnë dijen, por ai i bën të kota fjalët e të pabesit.

22:13 Përtaci thotë: "Jashtë ka një luan; do të vritem rrugës".

22:14 Goja e gruas që shkel kurorën është një gropë e thellë; ai që ka zemëruar Zotin do të bjerë në të.

22:15 Marrëzia lidhet me zemrën e fëmijës, por shufra e korrigjimit do ta largojë prej saj.

22:16 Ai që shtyp të varfërin për t'u pasuruar dhe ai që i jep të pasurit, me siguri do të varfërohet.

22:17 Vëru veshin dhe dëgjo fjalët e të urtëve, dhe jepja zemrën dijes sime.

22:18 sepse për ty do të jetë e këndshme t'i ruash në intimitetin tënd dhe t'i kesh të gjitha gati mbi buzët e tua.

22:19 Me qëllim që besimin tënd ta kesh te Zoti, sot të kam mësuar, po, pikërisht ty.

22:20 A nuk të kam shkruar në të kaluarën aforizma që kanë të bëjnë me këshillimin dhe diturinë,

22:21 në mënyrë që të njohësh sigurinë e fjalëve të së vërtetës, me qëllim që t'u përgjigjesh me fjalë të vërteta atyre që të dërgojnë?

22:22 Mos e vidh të varfërin, sepse është i varfër, dhe mos e shtyp të mjerin te porta,

22:23 sepse Zoti do të mbrojë çështjen e tyre dhe do t'u heqë jetën atyre që i kanë zhveshur.

22:24 Mos lidh miqësi me njeriun zemërak dhe mos u shoqëro me njeriun idhnak,

22:25 që të mos mësosh rrugët e tij dhe të mos gjesh një kurth për shpirtin tënd.

22:26 Mos u bëj si ata që japin dorën si garanci, që bëhen garant për borxhet e të tjerëve.

22:27 Në qoftë se nuk ke asgjë me se të paguash, pse duhet të të heqë shtratin poshtë vetes?

22:28 Mos e luaj kufirin e vjetër, të vendosur nga etërit e tu.

22:29 A ke parë një njeri të papërtueshëm në punën e tij? Ai do të paraqitet në prani të mbretit dhe nuk do të qëndrojë para njerëzve të humbur.

23:1 Kur ulesh të hash me një mbret, shiko me kujdes atë që ke përpara;

23:2 dhe vër një thikë në grykë, po të jetë se ke oreks të madh.

23:3 Mos dëshiro gjellët e tij të mrekullueshme, sepse janë një ushqim mashtrues.

23:4 Mos u lodh për t'u pasuruar, hiq dorë nga qëllimi yt.

23:5 A do t'i fiksosh sytë e tu mbi atë që po zhduket? Sepse pasuria me siguri do të vërë fletë si një shqiponjë që fluturon drejt qiellit.

23:6 Mos ha bukën e atij që ka syrin e keq dhe mos dëshiro ushqimet e tij të shijshme;

23:7 sepse, ashtu si mendon në zemër të tij, ashtu është ai; "Ha dhe pi"!, do të thotë, por zemra e tij nuk është me ty.

23:8 Do të vjellësh kafshatën që ke ngrënë dhe do të harxhosh kot fjalët e tua të ëmbla.

23:9 Mos i drejto fjalën budallait, sepse ai do të përçmojë mençurinë e ligjëratës sate.

23:10 Mos e luaj kufirin e vjetër dhe mos hyr në arat e jetimëve,

23:11 sepse Hakmarrësi i tyre është i fuqishëm; ai do të mbrojë çështjen e tyre kundër teje.

23:12 Kushtoja zemrën tënde mësimeve dhe veshët e tu fjalëve të diturisë.

23:13 Mos ia kurse korrigjimin fëmijës; edhe sikur ta rrahësh me thupër, ai nuk do të vdesë;

23:14 do ta rrahësh me thupër, por do të shpëtosh shpirtin e tij nga Sheoli.

23:15 Biri im, në se zemra jote është e urtë, edhe zemra ime do të ngazëllojë;

23:16 zemra ime do të ngazëllojë, kur buzët e tua do të thonë gjëra të drejta.

23:17 Zemra jote mos i pastë zili mëkatarët, por vazhdoftë gjithnjë në frikën e Zotit;

23:18 sepse ka një të ardhme, dhe shpresa jote nuk do të shkatërrohet.

23:19 Dëgjo, biri im, ji i urtë, dhe drejtoje zemrën në rrugën e drejtë.

23:20 Mos rri me ata që pijnë verë as me grykësit dhe mishngrënësit;

23:21 sepse pijaneci dhe grykësi do të varfërohen dhe gjumashi do të vishet me lecka.

23:22 Dëgjo atin tënd që të ka pjellë dhe mos e përçmo nënën tënde kur të jetë plakë.

23:23 Bli të vërtetën dhe mos e shit, fito dituri, njohuri dhe gjykim.

23:24 Babai i të drejtit do të gëzohet shumë; kush ka lindur një të urtë do t'ia ndjejë gëzimin.

23:25 Le të gëzohet ati yt dhe nëna jote dhe le të gëzohet ajo që të ka lindur.

23:26 Biri im, më jep zemrën tënde, dhe sytë e tu gjetshin gëzim në rrugët e mia.

23:27 Sepse prostituta është një gropë e thellë dhe gruaja e tjetërkujt një pus i ngushtë.

23:28 Edhe ajo rri në pritë si një vjedhës dhe rrit midis njerëzve numrin e atyre që janë jo besnikë.

23:29 Për cilin janë "ah-ët", për cilin "obobo-të"? Për cilin grindjet, për cilin vajtimet? Për cilin plagët pa shkak? Për cilin sytë e skuqur?

23:30 Për ata që ndalen gjatë pranë verës, për ata që kërkojnë verë të droguar.

23:31 Mos e shiko verën kur kuqëlon, kur rrëzëllen në kupë dhe shkon poshtë aq lehtë!

23:32 Në fund ajo kafshon si një gjarpër dhe shpon si një kuçedër.

23:33 Sytë e tu kanë për të parë gjëra të çuditshme dhe zemra jote do të thotë gjëra të çoroditura.

23:34 Do të jesh si ai që gjendet në mes të detit, si ai që bie të flerë në majë të direkut të anijes.

23:35 Do të thuash: "Më kanë rrahur, por nuk më kanë bërë keq; më kanë goditur, por nuk e kam vënë re. Kur të zgjohem, do të kthehem t'i kërkoj përsëri!".

24:1 Mos i ki zili njerëzit e këqij dhe mos dëshiro të rrish me ta,

24:2 sepse zemra e tyre mendon për grabitje dhe buzët e tyre thonë se do të bëjnë të keqen.

24:3 Shtëpia ndërtohet me dituri dhe bëhet e qëndrueshme me maturi.

24:4 Me dijen mbushen dhomat me lloj-lloj të mirash të çmueshme dhe të pëlqyeshme.

24:5 Njeriu i urtë është plot forcë, dhe njeriu që ka dituri e rrit fuqinë e tij.

24:6 Sepse me këshilla të urta do të mund të bësh luftën tënde, dhe në numrin e madh të këshilltarëve është fitorja.

24:7 Dituria është shumë e lartë për budallanë; ai nuk e hap kurrë gojën te porta e qytetit.

24:8 Kush mendon të bëjë keq do të quhet mjeshtër intrigash.

24:9 Synimi i pamend është mëkat dhe tallësi është një neveri për njerëzit.

24:10 Po të mos kesh guxim ditën e fatkeqësisë, forca jote është shumë e pakët.

24:11 Çliro ata që i tërheqin drejt vdekjes dhe mbaji ata që po i çojnë në thertore.

24:12 Po të thuash: "Ja, ne nuk e dinim", ai që peshon zemrat a nuk e shikon? Ai që ruan shpirtin tënd nuk e di vallë? Ai do t'i japë secilit simbas veprave të tij.

24:13 Biri im, ha mjaltin sepse është i mirë; një huall mjalti do të jetë i ëmbël për shijen tënde.

24:14 Kështu do të jetë njohja e diturisë për shpirtin tënd. Në rast se e gjen, do të ketë një të ardhme dhe shpresa jote nuk do të shkatërrohet.

24:15 O i pabesë, mos ngre kurthe kundër banesës së njeriut të drejtë, mos shkatërro vendin ku ai pushon,

24:16 sepse i drejti bie shtatë herë dhe ngrihet, kurse të pabesët përmbysen në fatkeqësi.

24:17 Kur armiku yt bie, mos u gëzo; kur është shtrirë për tokë, zemra jote të mos gëzohet,

24:18 me qëllim që Zoti të mos shikojë dhe të mos i vijë keq, dhe të mos largojë prej tij zemërimin e vet.

24:19 Mos u zemëro për shkak të atyre që bëjnë të keqen dhe mos i ki smirë të pabesët,

24:20 sepse nuk do të ketë të ardhme për të keqin; llamba e të pabesëve do të fiket.

24:21 Biri im, ki frikë nga Zoti dhe nga mbreti; mos u bashko me ata që duan të ndryshojnë;

24:22 mjerimi i tyre do të vijë papritmas, dhe shkatërrimin e të dy palëve kush e njeh?

24:23 Edhe këto gjëra janë për të urtit. Nuk është mirë të kesh preferenca personale në gjykim.

24:24 Ai që i thotë të pabesit: "Ti je i drejtë", do të mallkohet nga popujt dhe kombet do ta nëmin.

24:25 Por ata që e qortojnë të pabesin do të gjejnë kënaqësi dhe mbi ta do të zbresin bekimet më të mira.

24:26 Ai që jep një përgjigje të drejtë jep një të puthur mbi buzët.

24:27 Vër në vijë punët e tua të jashtme, vër në rregull arat e tua dhe pastaj ndërto shtëpinë tënde.

24:28 Mos dëshmo pa arsye kundër të afërmit tënd dhe mos gënje me buzët e tua.

24:29 Mos thuaj: "Ashtu si ma bëri mua, kështu do t'ia bëj edhe unë; do t'ia kthej simbas sjelljes së tij".

24:30 Kalova pranë arës së përtacit dhe pranë vreshtit të njeriut që s'ka mend;

24:31 dhe ja, kudo rriteshin ferrat, ferrishtet e zinin tokën dhe muri prej gurësh ishte shembur.

24:32 Duke parë këtë, u mendova me kujdes; nga sa pashë nxora një mësim:

24:33 të flesh pak, të dremitësh pak, të rrish pak me duar në ije për të pushuar;

24:34 kështu varfëria jote do të vijë si një vjedhës dhe skamja jote si një njeri i armatosur.

25:1 Edhe këto janë fjalë të urta të Salomonit, të transkriptuara nga njerëzit e Ezekias, mbretit të Judës.

25:2 Éshtë lavdi e Perëndisë të fshehësh një gjë, por është lavdi e mbretërve ta hetosh atë.

25:3 Qiejtë për lartësinë e tyre, toka për thellësinë e saj dhe zemra e mbretërve janë të panjohshëm.

25:4 Hiq zgjyrën nga argjendi dhe ka për të dalë një enë për argjendarin.

25:5 Largo të pabesin nga prania e mbretit dhe froni i tij do të bëhet i qëndrueshëm në drejtësi.

25:6 Mos u përlëvdo në prani të mbretit dhe mos zër vendin e njerëzve të mëdhenj,

25:7 sepse është më mirë të thuhet: "Ngjitu këtu lart", se sa të të ulin përpara princit, që sytë e tu kanë parë.

25:8 Mos bëj padi me tepër nxitim, sepse në fund nuk do të dish çfarë të bësh, kur i afërmi yt do të të ketë bërë me turp.

25:9 Diskutoje padinë tënde kundër të afërmit tënd, por mos e zbulo sekretin e një tjetri,

25:10 me qëllim që ai që të dëgjon të mos të të diskreditojë dhe nami yt të njolloset për gjithnjë.

25:11 Një fjalë e thënë në kohën e duhur është si molla të arta mbi një enë argjendi.

25:12 Për një vesh të bindur, një i urtë që qorton është si një vath i artë, një zbukurim prej ari të kulluar.

25:13 Një lajmëtar besnik është, për ata që e dërgojnë, si freskia e borës në kohën e korrjes, sepse ai e freskon shpirtin e zotit të tij.

25:14 Ai që mburret duke gënjyer se ka bërë një dhuratë është si retë dhe era pa shi.

25:15 Me durimin i mbushet mendja një princi dhe gjuha e ëmbël thyen kockat.

25:16 Në rast se gjen mjaltë, ha aq sa të mjafton, me qëllim që të mos dendesh dhe pastaj të vjellësh.

25:17 Shko rrallë në shtëpinë e të afërmit tënd, që ai të mos mërzitet me ty sa të të urrejë.

25:18 Njeriu që deponon gënjeshtra kundër të afërmit të tij është si një topuz, një shpatë dhe një shigjetë e mprehtë.

25:19 Besimi te një njeri i pabesë ditën e fatkeqësisë është si një dhëmb i thyer dhe një këmbë e ndrydhur.

25:20 Kush i këndon këngë një zemre të pikëlluar është si ai që heq rrobat e tij në një ditë të ftohtë dhe si uthulla mbi sodën.

25:21 Në qoftë se armiku yt ka uri, jepi bukë për të ngrënë, dhe në se ka etje, jepi ujë për të pirë,

25:22 sepse kështu do të grumbullosh thëngjij mbi kokën e tij, dhe Zoti do të të shpërblejë.

25:23 Era e veriut sjell shiun, dhe gjuha që shpif tinëz e bën fytyrën të indinjuar.

25:24 Éshtë më mirë të banosh në cep të një çatie se sa në një shtëpi bashkë me një grua grindavece.

25:25 Një lajm i mirë nga një vend i largët është si ujë i freskët për një njeri të lodhur dhe të etur.

25:26 I drejti që dridhet përpara të pabesit është si një burim i turbullt dhe një pus i ndotur.

25:27 Të hash shumë mjaltë nuk është mirë, dhe të kërkosh lavdinë tënde nuk është lavdi.

25:28 Njeriu që nuk di të frenojë zemërimin e tij është si një qytet i shkrehur pa mure.

26:1 Ashtu si bora nuk i shkon verës as shiu të korrave, kështu nuk i shkon lavdia budallait.

26:2 Ashtu si harabeli fluturon andej e këtej dhe dallëndyshja fluturon, kështu mallkimi pa arsye nuk ka efekt.

26:3 Kamxhiku për kalin, kapistra për gomarin dhe shkopi për kurrizin e budallenjve.

26:4 Mos iu përgjegj budallait simbas budallallëkut të tij, që të mos bëhesh edhe ti si ai.

26:5 Përgjigjju budallait simbas budallallëkut të tij, që ai të mos mendojë se është i urtë.

26:6 Kush dërgon një mesazh me anë të një budallai pret këmbët e tij dhe pi dhunë.

26:7 Ashtu si këmbët e çalamanit janë pak të qëndrueshme, kështu është një fjalë e urtë në gojën e budallenjve.

26:8 Kush i jep lavdi një budallai është si ai që lidh një gur te hobeja.

26:9 Një fjalë e urtë në gojën e budallenjve është si një gjemb që hyn në dorën e një të dehuri.

26:10 Perëndia i madh që ka krijuar të gjitha gjërat është ai që i jep shpërblimin budallait dhe shkelësve.

26:11 Ashtu si një qen kthehet në të vjellat e tij, kështu budallai e përsërit budallallëkun e tij.

26:12 A ke parë një njeri që e pandeh veten të urtë? Ka më tepër shpresë për një budalla se sa për të.

26:13 Përtaci thotë: "Ka një luan në rrugë, ka një luan nëpër rrugë!".

26:14 Ashtu si lëviz porta në menteshat e saj, kështu sillet përtaci në shtrat të tij.

26:15 Përtaci e fut dorën në pjatën e tij, por lodhet edhe ta çojë te goja.

26:16 Përtaci pandeh se është më i urtë se shtatë persona që japin përgjigje me mend.

26:17 Kalimtari që përzihet në një grindje që nuk i përket, është si ai që kap nga veshët një qen.

26:18 Ashtu si një i marrë që gjuan me ura zjarri, me shigjeta dhe me vdekje,

26:19 kështu është ai që mashtron të afërmin dhe thotë: "E bëra për shaka!".

26:20 Kur mungojnë drutë, zjarri shuhet; dhe kur nuk ka një gojë të keqe, grindja merr fund.

26:21 Ashtu si qymyri jep shpuzën dhe drutë zjarrin, kështu njeriu grindavec i nxit grindjet.

26:22 Fjalët e gojëkeqit janë si ushqime shumë të shijshme dhe depërtojnë deri në thellësi të zorrëve.

26:23 Buzët e zjarrta dhe zemra e keqe janë si zgjyra të argjendit të vendosura mbi një enë balte.

26:24 Ai që urren shtiret me buzët e tij, por në zemër të vet përgatit mashtrimin.

26:25 Kur ai flet në mënyrë të sjellshme mos i ki besim, sepse ka shtatë gjëra të neveritshme në zemër.

26:26 Edhe sikur urrejtja e tij të jetë fshehur me tinëzi; ligësia e tij do të dalë hapur në kuvend.

26:27 Kush hap një gropë do të bjerë brenda dhe kush rrokullis një gur do të bjerë përsëri mbi të.

26:28 Gjuha gënjeshtare urren ata që ka plagosur, dhe goja lajkatare sjell shkatërrimin.

27:1 Mos u mburr me ditën e nesërme, sepse nuk di atë që mund të sjellë një ditë.

27:2 Le të të lëvdoj një tjetër dhe jo goja jote, një i huaj dhe jo buzët e tua.

27:3 Guri peshon dhe rëra është e rëndë, por zemërimi i budallait peshon më tepër se të dyja bashkë.

27:4 Tërbimi është mizor dhe zemërimi është i furishëm, por kush mund t'i bëjë ballë xhelozisë?

27:5 Më mirë një qortim i hapur se një dashuri e fshehur.

27:6 Besnike janë plagët e një shoku, dhe të rreme të puthurat e një armiku.

27:7 Kush është i ngopur përçmon huallin e mjaltit; por për atë që ka uri çdo gjë e hidhur është e ëmbël.

27:8 Si zogu që endet larg folesë së tij, kështu është njeriu që endet larg shtëpisë së tij.

27:9 Vaji dhe parfumi gëzojnë zemrën, kështu bën ëmbëlsia e një shoku me këshillat e tij të përzërmërta.

27:10 Mos e braktis mikun tënd as mikun e atit tënd dhe mos shko në shtëpinë e vëllait tënd ditën e fatkeqësisë sate; është më mirë një që banon afër se sa një vëlla larg.

27:11 Biri im, ji i urtë dhe gëzo zemrën time, kështu do të mund t'i përgjigjem atij që përflet kundër meje.

27:12 Njeriu mendjemprehtë e shikon të keqen dhe fshihet, por naivët shkojnë tutje dhe ndëshkohen.

27:13 Merr rroben e atij që është bërë garant për një të huaj dhe mbaje si peng për gruan e huaj.

27:14 Ai që bekon të afërmin e tij me zë të lartë në mëngjes herët, do t'ia zënë si mallkim.

27:15 Pikëllimi i vazhdueshëm në një ditë shiu të madh dhe një grua grindavece i ngjasin njera tjetrës.

27:16 Kush arrin ta përmbajë, mban erën dhe zë vajin me dorën e tij të djathtë.

27:17 Hekuri mpreh hekurin, kështu njeriu mpreh fytyrën e shokut të tij.

27:18 Kush kujdeset për fikun do të hajë frytin e tij, dhe ai që i shërben zotit të tij do të nderohet.

27:19 Ashtu si në ujë fytyra pasqyron fytyrën, kështu zemra e njeriut e tregon njeriun.

27:20 Sheoli dhe Abadoni janë të pangopur, dhe të pangopur janë gjithashtu sytë e njerëzve.

27:21 Poçja është për argjendin dhe furra për arin, kështu njeriu provohet nga lëvdata që merr.

27:22 Edhe sikur ta shtypje budallanë në një havan bashkë me grurë me dygeçin e tij, budallallëku nuk do të largohej prej tij.

27:23 Përpiqu të njohësh mirë gjendjen e deleve të tua dhe ki kujdes për kopetë e tua,

27:24 sepse pasuritë nuk zgjatin përherë, dhe as një kurorë nuk vazhdon brez pas brezi.

27:25 Kur merret bari i thatë dhe del bari i njomë dhe mblidhet forazhi i maleve,

27:26 qengjat do të furnizojnë rrobat e tua, cjeptë çmimin e një are

27:27 dhe dhitë mjaft qumësht për ushqimin tënd, për ushqimin e shtëpisë sate dhe për të mbajtur shërbëtoret e tua.

28:1 I pabesi ikën me vrap edhe në se askush nuk e ndjek, por i drejti është i sigurt si një luan.

28:2 Për shkak të mëkatit të një vendi, shumë janë të parët e tij, por me një njeri me mend që ka dituri qëndrueshmëria e tij vazhdon gjatë.

28:3 Një i varfër që shtyp të mjerët është si një shi me shtamba që nuk jep bukë.

28:4 Ata që braktisin ligjin lëvdojnë të pabesët; por ata që zbatojnë ligjin i luftojnë ata.

28:5 Njerëzit e këqij nuk e kuptojnë drejtësinë, por ata që e kërkojnë Zotin kuptojnë çdo gjë.

28:6 Më i mirë është i varfëri që ecën në ndershmëri nga njeriu i paqëndrueshëm që ndjek rrugën dredha-dredha, edhe kur është i pasur.

28:7 Kush zbaton ligjin është një bir me mend, por shoku i grykësve turpëron atin e tij.

28:8 Kush i shton pasuritë e tij me fajde dhe me fitime të padrejta, i mbledh për atë që i vjen keq për të varfërit.

28:9 Në rast se dikush e kthen veshin gjetiu për të mos dëgjuar ligjin, vetë lutja e tij do të jetë një gjë e neveritshme.

28:10 Kush i fut njerëzit e drejtë në një rrugë të keqe, do të bjerë vetë në gropën e tij; por njerëzit e ndershëm do të trashëgojnë të mirën.

28:11 I pasuri mendon se është i matur, por i varfëri që është i zgjuar e kqyr fund e krye.

28:12 Kur të drejtët triumfojnë, ka lavdi të madhe, por kur mbizotërojnë të pabesët njerëzit fshihen.

28:13 Kush i fsheh shkeljet e tij nuk do të ketë mbarësi; por ai që i rrëfen dhe i braktis ato, ka për të fituar mëshirën.

28:14 Lum ai njeri që ka frikë vazhdimisht nga Zoti, por ai që e fortëson zemrën e tij do të bjerë në fatkeqësi.

28:15 Një i pabesë që sundon mbi një popull të varfër është si një luan që ulërin dhe një ari i uritur.

28:16 Një princ pa mend zhvat shumë, por ai që urren fitimin e pandershëm ka për t'i zgjatur ditët e tij.

28:17 Njeriu mbi të cilin rëndon një vrasje do të turret deri në varr; asnjë të mos e ndihmojë!

28:18 Ai që ecën me ndershmëri do të shpëtohet, por njeriu i paqëndrueshëm që ndjek rrugë dredha-dredha do të rrëzohet befas.

28:19 Kush punon tokën e tij do të ketë bukë me bollëk, por kush jepet pas kotësive do të ketë varfëri të madhe.

28:20 Njeriu besnik do të mbushet me bekime, por ai që nxiton të pasurohet nuk do të jetë pa faj.

28:21 Nuk është mirë të kesh preferenca vetiake; njeriu kryen mëkat për një copë bukë.

28:22 Njeriu me sy të keq dëshiron të pasurohet shpejt, por nuk e kupton se do ta pllakosë varfëria.

28:23 Kush qorton dikë ka për të gjetur pastaj favor më të madh se ai që i bën lajka me fjalë.

28:24 Kush vjedh atin e tij dhe nënën e tij dhe thotë: "Nuk është mëkat", është shok i atij që shkatërron.

28:25 Kush e ka zemrën të fryrë nga krenaria nxit grindje, por ai që ka besim te Zoti do të ketë mbarësi.

28:26 Kush i beson zemrës së tij është budalla, por ai që ecën me urtësi do të shpëtojë.

28:27 Ai që i jep të varfërit nuk do të ketë kurrë nevojë, por ai që i mbyll sytë e vet do të ketë shumë mallkime.

28:28 Kur të pabesët lartohen, njerëzit fshihen; por kur vdesin, të drejtët shumohen.

29:1 Njeriu që fortëson qafën kur qortohet, do të thyhet papritmas pa tjetër.

29:2 Kur të drejtët shumohen, populli gëzohet, por, kur sundon i pabesi, populli rënkon.

29:3 Njeriu që e do diturinë gëzon të atin; por ai që shkon me prostitutat shkapaderdh pasurinë e vet.

29:4 Mbreti e bën të qëndrueshëm vendin me anë të drejtësisë, por ai që merr dhurata e çon në shkatërrim.

29:5 Njeriu që i bën lajka të afërmit të tij shtrin një rrjetë mbi hapat e tij.

29:6 Në mëkatin e një njeriut të keq ka një lak, por i drejti këndon dhe gëzohet.

29:7 I drejti interesohet për çështjen e të varfërve, por i pabesi nuk e kupton këtë interesim.

29:8 Tallësit kurdisin trazira në qytet, por njerëzit e urtë e qetësojnë zemërimin.

29:9 Në rast se një njeri i urtë hyn në grindje me një budalla, dhe budallai zemërohet dhe qesh, nuk ka paqe.

29:10 Njerëzit gjakatarë urrejnë të ndershmin, por njerëzit e drejtë kërkojnë të mbrojnë jetën e tij.

29:11 Budallai e shfryn gjithë zemërimin e tij, por i urti e frenon dhe e ul.

29:12 Në rast se një mbret dëgjon fjalët gënjeshtare, tërë ministrat e tij bëhen të pabesë.

29:13 I varfëri dhe shtypësi kanë këtë të përbashkët: Zoti ndriçon sytë e të dy palëve.

29:14 Mbreti që u siguron drejtësi të varfërve në të vërtetë do ta ketë fronin të vendosur për gjithnjë.

29:15 Shufra dhe qortimi japin dituri; por fëmija për të cilën nuk kujdeset kurrkush e turpëron nënen e vet.

29:16 Kur shtohen të pabesët shtohen edhe shkeljet, por të drejtët do të shohin shkatërrimin e tyre.

29:17 Korrigjo birin tënd, ai do të japë rehatinë dhe do t'i sigurojë kënaqësi shpirtit tënd.

29:18 Kur nuk ka një vizion profetik, populli bëhet i shfrenuar, por lum ai që respekton ligjin.

29:19 Një shërbëtor nuk ndreqet vetëm me fjalë; edhe kur i kupton, nuk bindet.

29:20 A ke parë një njeri që ngutet në të folur? Ka më tepër shpresa te një budalla se sa te ai.

29:21 Në se dikush rrit me përkujdesje qysh në fëmijëri shërbëtorin e vet, në fund ai do të dojë të bëhet trashëgimtar i tij.

29:22 Njeriu zemërak kurdis grindje dhe njeriu idhnak kryen shumë mëkate.

29:23 Kryelartësia e njeriut e çon poshtë atë, por ai që ka një shpirt të përvuajtur do të ketë lavdi.

29:24 Kush bëhet ortak me një vjedhës urren jetën e vet. Ai dëgjon betimin, por nuk padit asgjë.

29:25 Frika e njeriut përbën një lak, por ai që ka besim te Zoti është i siguruar.

29:26 Të shumtë janë ata që kërkojnë favorin e princit, por drejtësia për çdo njeri vjen nga Zoti.

29:27 Njeriu jo i drejtë është një neveri për të drejtët, dhe ai që ecën me ndershmëri është një neveri për të pabesët.

30:1 Fjalët e Agurit, birit të Jahehut; mesazhi profetik që ky njeri shpalli në Ithiel, në Ithiel dhe në Ukal.

30:2 Po, unë jam më budalla se gjithë të tjerët dhe nuk kam mendje njeriu.

30:3 Nuk kam mësuar diturinë dhe nuk kam dijen e Shenjtorit.

30:4 Kush u ngjit në qiell dhe zbriti prej tij? Kush e ka mbledhur erën në duart e tij? Kush i ka mbyllur ujërat në rroben e tij? Kush i ka vendosur të gjithë kufijtë e tokës? Cili është emri i tij dhe emri i të birit, po qe se ti e di?

30:5 Çdo fjalë e Perëndisë është rafinuar me zjarr. Ai është një mburojë për atë që gjen strehë tek ai.

30:6 Mos u shto asgjë fjalëve të tij që të mos të të qortojë dhe të dalësh gënjeshtar.

30:7 Unë të kërkova dy gjëra; mos m'i moho para se të vdes:

30:8 largo nga unë falsitetin dhe gënjeshtrën; mos më jep as varfëri as pasuri, më ushqe me bukën e nevojshme,

30:9 me qëllim që, pasi të jem ngopur, të mos të të mohoj dhe të them: "Kush është Zoti?", ose, pasi të jem bërë i varfër, të mos vjedh dhe të përdhos emrin e Perëndisë tim.

30:10 Mos shpif kundër shërbëtorit para të zotit, me qëllim që ai të mos të të mallkojë dhe ti të gjendesh fajtor.

30:11 Ka një kategori njerëzish që mallkojnë atin e tyre dhe nuk bekojnë nënen e tyre.

30:12 Ka një kategori njerëzish që e mbajnë veten për të pastër, por nuk janë të larë nga papastërtia e vet.

30:13 Ka një kategori njerëzish që i ka sytë shumë kryelartë dhe qepallat krenare.

30:14 Ka një kategori njerëzish dhëmbët e të cilëve janë si shpata dhe dhëmballët e tyre janë si thika, për të gëlltitur të varfërit mbi faqen e dheut dhe nevojtarët në mes të njerëzve.

30:15 Shushunja ka dy bija, që thonë: "Më jep, më jep!". Ka tri gjëra që nuk ngopen kurrë, madje katër nuk thonë kurrë: "Mjaft!".

30:16 Sheoli, barku shterp, toka që nuk ngopet me ujë dhe zjarri që nuk thotë kurrë: "Mjaft!".

30:17 Syrin që tallet me babanë dhe nuk pranon me përbuzje t'i bindet nënës, do ta nxjerrin korbat e përroit, do ta hanë të vegjëlit e shqiponjës.

30:18 Ka tri gjëra tepër të mrekullueshme për mua, madje katër, që unë nuk i marr vesh:

30:19 gjurma e shqiponjës në ajër, gjurma e gjarpërit mbi shkëmb, gjurma e anijes në mes të detit dhe gjurma e burrit me një vajzë.

30:20 Kjo është sjellja e gruas që ka shkelur kurorën: ha, fshin gojën dhe thotë: "Nuk kam bërë asnjë të keqe!".

30:21 Tri gjëra e turbullojnë tokën, madje katër janë gjërat që ajo nuk mund të durojë:

30:22 një shërbëtor kur bëhet mbret, një budalla që ka bukë me bollëk,

30:23 një grua të urryer që gjen burrë dhe një shërbëtore që i zë vendin zonjës.

30:24 Ka katër kafshë të vogla mbi tokë, por janë jashtëzakonisht të urta:

30:25 mizat e dheut, që janë një popull pa forcë, por që e mbledhin ushqimin e tyre në verë;

30:26 lepujt, që janë një popull i dobët, por që e vendosin banesën e tyre në shkëmbinjtë;

30:27 karkalecat, që nuk kanë mbret, por që shkojnë mbarë në grupe;

30:28 hardhuca që mund ta zësh me duart, por që gjendet në pallatet e mbretërve.

30:29 Tri qënie kanë një paraqitje të bukur, madje katër kanë një ecje madhështore;

30:30 luani, kafsha më e fortë, që nuk zmprapset para askujt,

30:31 kali i luftës që ecën i ngrefosur, cjapi dhe mbreti kur është me ushtrinë e tij.

30:32 Në rast se ke vepruar si budalla duke lartësuar veten tënde ose të ka shkuar mendja, vëre dorën mbi gojë,

30:33 sepse, duke rrahur qumështin prodhohet gjalpi, duke përdredhur hundën del gjak prej saj dhe duke shtrydhur mërinë prej saj del grindja.

31:1 Fjalë të mbretit Lemuel, mesazhi profetik me të cilin e mësoi e ëma.

31:2 Çfarë të të them, biri im? Çfarë të të them, biri i barkut tim? Çfarë të të them, bir i zotimeve të mia?

31:3 Mos ua jep forcën tënde grave as jetën tënde asaj që shkatërron mbretërit.

31:4 Nuk u shkon mbretërve, o Lemuel, nuk u shkon mbretërve të pinë verë as princave të dëshirojnë pije dehëse,

31:5 sepse duke pirë të mos harrojnë ligjin dhe të mos shtrembërojnë të drejtën e të pikëlluarve.

31:6 Jepini pije dehëse atij që është duke vdekur dhe verë atij që e ka zemrën të hidhëruar.

31:7 Le të pijë për të harruar varfërinë e tij dhe për të mos kujtuar më hallet e tij.

31:8 Hape gojën tënde në favor të memecit, në mbrojtje të të gjithë atyre që janë lënë pas dore.

31:9 Hape gojën tënde, gjyko me drejtësi dhe mbro çështjen e të mjerit dhe të nevojtarit.

31:10 Kush do të gjejë një grua të fortë dhe të virtytshme? Vlera e saj është shumë më e madhe nga ajo e margaritarëve.

31:11 Zemra e burrit të saj ka besim tek ajo, dhe do të ketë gjithnjë fitime.

31:12 Ajo i bën të mira dhe jo të keqe tërë ditët e jetës së saj.

31:13 Gjen lesh dhe li dhe punon me gëzim me duart e veta.

31:14 Ajo u përngjan anijeve të tregëtarëve: e sjell ushqimin e saj nga larg.

31:15 Çohet që me natë për t'i ndarë ushqimin familjes së saj dhe për t'u dhënë urdhërat e nevojshme shërbëtoreve të saj.

31:16 Ajo shikon një arë dhe e ble; me duart e saj mbjell një vresht.

31:17 Ngjesh me forcë ijët dhe i bën më të fortë krahët e saj.

31:18 E kupton që tregëtia e saj po shkon mbarë dhe llamba e saj e natës nuk i shuhet.

31:19 Shtrin dorën mbi furkën, pëllëmbat e saj zënë boshtin.

31:20 I shtrin dorën të varfërit dhe i jep dorën nevojtarit.

31:21 Nuk i trembet borës për familjen e saj, sepse tërë ata të shtëpisë së vet kanë një veshje të dyfishtë.

31:22 Bën për vete mbulesa si sixhade dhe rrobat e saj janë prej liri shumë të hollë dhe të purpurta.

31:23 Burri i saj nderohet te porta, kur ulet bashkë me pleqtë e vendit.

31:24 Përgatit rroba prej liri dhe i shet, i furnizon me breza tregtarët.

31:25 Forca dhe nderi janë rrobat e saj dhe qesh për ditët që do të vijnë.

31:26 Hap gojën e saj me dituri dhe mbi gjuhën e saj është ligji i mirësisë.

31:27 Ajo mbikqyr si shkon shtëpia e vet dhe nuk ha bukën e përtacisë.

31:28 Bijtë e saj ngrihen dhe e shpallin fatlume; edhe burri i saj e lëvdon duke thënë:

31:29 "Shumë bija kanë bërë gjëra të mëdha, por ti i kalon të gjitha ato".

31:30 Hiri është i rremë dhe bukuria është e kotë, por gruaja që ka frikë nga Zoti është ajo që do të lëvdohet.

31:31 I jepni frytin e duarve të saj, dhe vet veprat e saj le ta lëvdojnë te portat.


Next: Ecclesiastes