1:1 Në muajin e tetë të vitit të dytë të Darit, fjala e Zotit iu drejtua Zakarias, birit të Berekiahut, bir i Idos, profet, duke thënë:
1:2 "Zoti ishte zemëruar shumë me etërit tuaj.
1:3 Prandaj u thuaj: Kështu thotë Zoti i ushtrive: Kthehuni tek unë, thotë Zoti i ushtrive, dhe unë do të kthehem te ju", thotë Zoti i ushtrive.
1:4 "Mos u bëni si etërit tuaj, të cilëve profetët e së kualuarës u kanë shpallur, duke thënë: "Kështu thotë Zoti i ushtrive: Konvertohuni nga rrugët tuaja të këqija dhe nga veprat tuaja të këqija". Por ata nuk dëgjuan dhe nuk më kushtuan vemendje", thotë Zoti.
1:5 "Etërit tuaj ku janë? Po profetët a rrojnë vallë përjetë?
1:6 Vallë fjalët e mia dhe statutet e mia që ua kisha besuar shërbëtorëve të mi, profetëve, nuk arritën te etërit tuaj? Kështu ata u konvertuan dhe thanë: "Ashtu si kishte vendosur të vepronte me ne Zoti i ushtrive, në bazë të rrugëve tona dhe të veprave tona, kështu veproi me ne"".
1:7 Më njëzet e katër të muajit të njëmbëdhjetë, që është muaji i Shebatit, në vitin e dytë të Darit, fjala e Zotit iu drejtua Zakarias, birit të Berekiahut, bir i Idos, profet, duke thënë:
1:8 Natën pata një vegim; dhe ja, një burrë, që i kishte hipur një kali të kuq, rrinte midis shkurreve të mërsinave në një gropë të thellë dhe prapa tij kishte kuaj të kuq, të kuqërremë dhe të bardhë.
1:9 Unë pyeta: "Imzot, çfarë kuptimi kanë këto gjëra?". Engjëlli që fliste me mua m'u përgjigj: "Unë do të të bëj të shohësh çfarë kuptimi kanë ato".
1:10 Atëherë burri që rrinte midis shkurreve të mërsinave nisi të thotë: "Këta janë ata që i ka dërguar Zoti për të përshkuar dheun".
1:11 Kështu iu përgjigjën ata engjëllit të Zotit i cili rrinte midis shkurreve të mërsinave: "Kemi përshkuar dheun dhe ja, gjithë dheu është në pushim dhe i qetë".
1:12 Atëherë engjëlli i Zotit nisi të thotë: "O Zoti i ushtrive, deri kur do të vazhdosh të mos kesh mëshirë për Jeruzalemin dhe për qytetet e Judës kundër të cilave ke qënë i zemëruar gjatë këtyre shtatëdhjetë vjetëve?".
1:13 Pastaj Zoti i tha disa fjalë të mira, fjalë inkurajimi, engjëllit që fliste me mua.
1:14 Kështu engjëlli që fliste me mua më tha: "Bërtit dhe thuaj: Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Unë jam shumë xheloz për Jeruzalemin dhe për Sionin;
1:15 por jam zemëruar shumë me kombet që jetojnë në mirëqenie, sepse, kur isha zemëruar pak, ata luajtën rol për ta shtuar të keqen".
1:16 Prandaj kështu thotë Zoti: "Unë po i drejtohem përsëri Jeruzalemit me mëshirë; tempulli im do të rindërtohet aty, thotë Zoti i ushtrive, dhe litari do të nderet mbi Jeruzalem".
1:17 Bërtit akoma dhe thuaj: "Kështu thotë Zoti i ushtrive: Qytetet e mia do të jenë plot e përplot me pasuri; Zoti do të ngushëllojë akoma Sionin dhe do të zgjedhë akoma Jeruzalemin"".
1:18 Pastaj i çova sytë, shikova dhe ja, katër brirë.
1:19 Unë e pyeta engjëllin që fliste me mua: "Çfarë janë këta?". Ai m'u përgjigj: "Këta janë brirët që kanë shpërndarë Judën, Izraelin dhe Jeruzalemin".
1:20 Pastaj Zoti më bëri të shoh katër kovaçë.
1:21 Unë pyeta: "Pse kanë ardhur këta, çfarë do të bëjnë?". Ai u përgjigj dhe tha: "Këta janë brirët që kanë shpërndarë Judën, kështu që askush nuk mund të çonte kokën lart, por këta kovaçë vijnë për t'i trembur, për të rrëzuar brirët e kombeve që e kanë ngritur bririn e tyre kundër vendit të Judës për ta shpërndarë".
2:1 I ngrita mandej sytë dhe shikova dhe ja, një burrë që mbante në dorë një litar për matje.
2:2 E pyeta: "Ku po shkon?". Ai m'u përgjigj: "Po shkoj të mas Jeruzalemin, për të parë sa është gjerësia e tij dhe sa është gjatësia e tij".
2:3 Dhe ja, engjëlli që fliste me mua doli përpara dhe një engjëll tjetër i doli përballë,
2:4 dhe i tha: "Rend, foli atij të riu dhe i thuaj: Jeruzalemi do të jetë i banuar si një qytet pa mure, për shkak të morisë së njerëzve dhe të kafshëve që do të jenë në të.
2:5 Sepse unë", thotë Zoti, "do të jem për të një mur zjarri rreth e qark dhe do të jem lavdia e tij në mes të tij".
2:6 Oh, oh! "Ikni nga vendi i veriut", thotë Zoti, "sepse ju kam shpërndarë si katër erërat e qiellit", thotë Zoti.
2:7 Oh, Sion, siguro shpëtimin, ti që banon bashkë me bijën e Babilonisë!
2:8 Sepse kështu thotë Zoti i ushtrive: "Lavdia e tij më ka dërguar te kombet që ju kanë plaçkitur, sepse ai që ju prek prek beben e syrit të tij.
2:9 Ja, unë do ta tund dorën time kundër tyre dhe ata do të bëhen pre e atyre që u ishin nënshtruar atyre; atëherë do të pranoni që më ka dërguar Zoti i ushtrive.
2:10 Lësho klithma gëzimi, gëzohu, o bijë e Sionit, sepse ja, unë do të vij, të banoj midis teje", thotë Zoti.
2:11 "Atë ditë shumë kombe do të bashkohen me Zotin dhe do të bëhen populli im, dhe unë do të banoj midis teje; atëherë do të pranosh që Zoti i ushtrive më ka dërguar te ti.
2:12 Dhe Zoti do të marrë në zotërim Judën si trashëgimi të tij në tokën e shenjtë dhe do të zgjedhë akoma Jeruzalemin.
2:13 Çdo mish le të heshtë përpara Zotit, sepse ai është zgjuar nga selia e tij e shenjtë".
3:1 Pastaj më bëri të shoh kryepriftin Jozue, që qëndronte drejt përpara engjëllit të Zotit, dhe Satanai që rrinte në të djathtën e tij për ta akuzuar.
3:2 Zoti i tha Satanait: "Të qortoftë ashpër Zoti, o Satana! Po, Zoti që ka zgjedhur Jeruzalemin, të qortoftë ashpër! A nuk është vallë ky një urë zjarri e shkëputur nga zjarri?".
3:3 Jozueu ishte veshur me rroba të papastra dhe qëndronte drejt përpara engjëllit,
3:4 i cili nisi t'u thotë atyre që ishin përpara tij: "Ia hiqni nga trupi ato rroba të papastra!". Pastaj i tha atij: "Shiko, kam zhdukur prej teje paudhësinë tënde dhe do të të bëj të veshësh rroba të shkëlqyera".
3:5 Unë, pra, thashë: "Le të vënë mbi kokën e tij një çallmë të pastër". Kështu ata i vunë mbi kokë një çallmë të pastër dhe e vunë të veshë rroba, ndërsa Engjëlli i Zotit ishte i pranishëm aty.
3:6 Dhe Engjëlli i Zotit e paralajmëroi solemnisht Jozueun duke thënë:
3:7 "Kështu thotë Zoti i ushtrive: Në qoftë se do të ecësh në rrugët e mia dhe do të respektosh ligjin tim, edhe ti do të kesh drejtimin e shtëpisë sime dhe do të ruash oborret e mia, dhe unë do të të lejoj të hysh lirisht midis këtyre që rrijnë këtu.
3:8 Dëgjo, pra, o Jozue, kryeprift, ti dhe shokët e tu që ulen përpara teje, sepse ata janë njerëz që japin paralajmërime. Ja, unë po të sjell këtu shërbëtorin tim, Filizin.
3:9 Ja guri që kam vënë përpara Jozueut: mbi këtë gur të vetëm ka shtatë sy; ja, unë do të gdhend mbishkrimin e tij", thotë Zoti i ushtrive, "dhe do ta heq paudhësinë e këtij vendi në një ditë të vetme.
3:10 Në atë ditë", thotë Zoti i ushtrive, "secili nga ju do të ftojë fqinjin e vet nën hardhinë e tij dhe nën fikun e tij".
4:1 Pastaj engjëlli që fliste me mua u kthye dhe më zgjoi ashtu si zgjojnë dikë nga gjumi.
4:2 Dhe më pyeti: "Çfarë po shikon?". U përgjigja: "Ja, po shikoj një shandan krejt prej ari dhe që ka në majë një enë, mbi të cilën janë shtatë llampa me shtatë tuba për shtatë llampat që janë në majë.
4:3 Afër tyre janë dy ullinj, një në të djathtën e enës dhe tjetri në të majtën e saj".
4:4 Kështu nisa t'i them engjëllit që fliste me mua: "Imzot, ç'kuptim kanë këto gjëra?".
4:5 Engjëlli që fliste me mua u përgjigj dhe më tha: "Nuk e kupton se ç'duan të thonë këto gjëra?". Unë i thashë: "Jo, imzot".
4:6 Atëherë ai, duke u përgjigjur, më tha: "Kjo është fjala e Zotit drejtuar Zorobabelit: Jo për fuqinë dhe as për forcën, por për Frymën time", thotë Zoti i ushtrive.
4:7 "Kush je ti, o mali i madh? Përpara Zorobabelit ti do të bëhesh fushë. Dhe ai do ta bëjë gurin e majës së malit të shkojë përpara midis britmave: "Mëshirë, mëshirë për të!"".
4:8 Fjala e Zotit m'u drejtua përsëri, duke thënë:
4:9 "Duart e Zorobabelit kanë hedhur themelet e këtij tempulli dhe duart e tij do ta përfundojnë; atëherë do të pranosh që Zoti i ushtrive më ka dërguar te ju.
4:10 Kush ka mundur të përçmojë ditën e gjërave të vogla? Por ata të shtatë gëzohen kur shohin plumbçen në duart e Zorobabelit. Ata të shtatë janë sytë e Zotit që e përshkojnë gjithë dheun".
4:11 Unë u përgjigja dhe i thashë: "Këta dy ullinj në të djathtën dhe në të majtën e shandanit çfarë janë?".
4:12 Për herë të dytë nisa t'i them: "Çfarë janë këto dy degë ulliri që janë përbri dy prurësve prej ari nga rrjedh vaji i praruar?".
4:13 Ai m'u përgjigj dhe tha: "Nuk e kupton çfarë janë këto?". Unë u përgjigja: "Jo, imzot".
4:14 Atëherë ai më tha: "Këta janë dy të vajosurit që rrijnë afër Zotit të gjithë dheut".
5:1 Pastaj i çova përsëri sytë dhe pashë, dhe ja një rrotull që fluturonte.
5:2 Engjëlli më tha: "Çfarë po shikon?". Unë u përgjigja: "Shoh një rrotull që fluturon; gjatësia e saj është njëzet kubitë dhe gjërësia e saj dhjetë kubitë".
5:3 Atëherë ai më tha: "Ky është mallkimi që po përhapet mbi gjithë vendin; sepse tani e tutje, kushdo që vjedh do të dëbohet prej tij dhe kushdo që tani e tutje betohet me të rreme, do të dëbohet prej tij.
5:4 Unë do ta bëj të dalë", thotë Zoti i ushtrive, "dhe ai do të hyjë në shtëpinë e vjedhësit dhe në shtëpinë e atij që bën betim të rremë në emrin tim; do të mbetet në atë shtëpi dhe do ta konsumojë bashkë me lëndën e saj dhe me gurët e saj".
5:5 Pastaj Engjëlli që fliste me mua doli dhe më tha: "Ço sytë dhe shiko çfarë është ajo që po del".
5:6 Unë thashë: "Çfarë është?". Ai tha: "Éshtë efa që po del". Pastaj shtoi: "Kjo është pamja e tyre në gjithë vendin".
5:7 Pastaj, ja, u ngrit një kapak plumbi, dhe kështu në mes të efas rrinte ulur një grua.
5:8 Atëherë ai tha: "Kjo është ligësia". Dhe e hodhi në mes të efas, pastaj hodhi kapakun prej plumbi mbi hapjen e saj.
5:9 Pastaj i çova sytë dhe shikova, dhe ja që po vinin dy gra me erën në krahët e tyre, sepse ato kishin krahë si krahët e lejlekut, dhe e ngritën efan midis tokës dhe qiellit.
5:10 Kështu unë e pyeta engjëllin që fliste me mua: "Ku e çojnë efan këto?".
5:11 Ai m'u përgjigj: "Në vendin e Shinarit për t'i ndërtuar një shtëpi; kur të jetë gati efa do të vihet mbi piedestalin e vet".
6:1 I çova përsëri sytë dhe shikova, dhe ja, katër qerre që dilnin në mes të dy maleve; dhe malet ishin male prej bronzi.
6:2 Në qerren e parë kishte kuaj të kuq, në qerren e dytë kuaj të zinj,
6:3 në qerren e tretë kuaj të bardhë dhe në të katërtën kuaj shumë laramanë.
6:4 Atëherë nisa t'i them engjëllit që fliste me mua: "Imzot, po këta?".
6:5 Engjëlli u përgjigj dhe tha: "Këta janë katër frymat e qiellit që dalin pasi kanë qenë në prani të Zotit të mbarë dheut.
6:6 Qerrja me kuaj të zinj shkon drejt vendit të veriut; kuajt e bardhë e ndjekin, kuajt laramanë shkojnë drejt vendit të jugut;
6:7 pastaj përparojnë kuajt me ngjyrë të kuqe të ndezur dhe kërkojnë të shkojnë për të përshkuar dheun". Ai u tha atyre: "Shkoni, përshkoni dheun!". Kështu ata e përshkuan dheun.
6:8 Pastaj ai më thirri dhe më foli, duke thënë: "Ja, ata që po shkojnë drejt vendit në veri e kanë qetësuar Frymën time mbi vendin e veriut.
6:9 Pastaj fjala e Zotit m'u drejtua duke thënë:
6:10 "Prano dhurata nga mërgimtarët, domethënë nga Heldai, nga Tobiahu dhe nga Jedaiahu që kanë ardhur nga Babilonia, dhe që po sot kanë shkuar në shtëpinë e Josias, birit të Sofonias.
6:11 Merr argjendin dhe arin, bëj një kurorë me to dhe vëre mbi kryet e Jozueut, birit të Jehotsadakut, kryepriftit.
6:12 Pastaj foli atij, duke thënë: Kështu thotë Zoti i ushtrive: Ja, burri emri i të cilit është Filizë, do të filizoj në vendin e tij dhe do të ndërtojë tempullin e Zotit.
6:13 Po, ai do të ndërtojë tempullin e Zotit, do të mbulohet me lavdi dhe do të ulet e do të mbretërojë mbi fronin e tij, do të jetë prift mbi fronin e tij, dhe midis të dyve do të jetë një këshillë paqeje.
6:14 Kurora do të jetë një kujtim në tempullin e Zotit për Helemin, për Tobiahun, për Jedaiahun dhe për Henin, birin e Sofonias.
6:15 Edhe ata që janë larg do të vijnë për të ndihmuar për ndërtimin e tempullit të Zotit; atëherë do të pranoni që Zoti i ushtrive më ka dërguar te ju. Kjo do të ndodhë në qoftë se do t'i bindeni me zell zërit të Zotit, Perëndisë tuaj".
7:1 Në vitin e katërt të mbretit Dar, ditën e katërt të muajit të nëntë, që është Kislevi, ndodhi që fjala e Zotit iu drejtua Zakarias.
7:2 Kishin dërguar Sharetserin, bashkë me Regemelekun dhe njerëzit e tij, në Bethel për të kërkuar me lutje favorin e Zotin,
7:3 dhe për të folur me priftërinjtë që ishin në shtëpinë e Zotit të ushtrive dhe me profetët, duke thënë: "A duhet të qaj në muajin e pestë dhe të agjëroj si kam bërë gjatë shumë viteve?".
7:4 Atëherë fjala e Zotit m'u drejtua, duke thënë:
7:5 "Folu gjithë popullit të vendit dhe priftërinjve dhe thuaj: "Kur keni agjëruar dhe jeni pikëlluar në muajin e pestë dhe në të shtatin gjatë këtyre shtatëdhjetë viteve, a keni agjëruar në të vërtetë për mua, pikërisht për mua?
7:6 Po më pas, kur keni ngrënë dhe pirë, mos vallë keni ngrënë dhe pirë për veten tuaj?
7:7 A nuk janë këto fjalët që Zoti i ushtrive ka shpallur me anë të profetëve të së kaluarës, kur Jeruzalemi ishte i banuar dhe i qetë bashkë me qytetet e tij të afërta dhe gjithashtu Negevi dhe fusha ishin të banuara?"".
7:8 Fjala e Zotit iu drejtua Zakarias, duke thënë:
7:9 "Kështu thotë Zoti i ushtrive: Zbatoni me përpikëri drejtësinë dhe tregoni secili mirësi dhe mëshirë për vëllezërit tuaj.
7:10 Mos e shtypni të venë dhe jetimin, të huajin dhe të varfërin; dhe askush të mos kurdisë në zemër të vet të keqen kundër vëllait të vet.
7:11 Por ata nuk deshën të dëgjojnë, kthyen krahët me kryeneçësi dhe i zunë veshët që të mos dëgjonin.
7:12 E bënë zemrën e tyre si diamanti, për të mos dëgjuar ligjin dhe fjalët që Zoti i ushtrive u dërgonte atyre me anë të Frymës së tij, me anë të profetëve të së kaluarës. Kështu u krijua një indinjatë e madhe te Zoti i ushtrive.
7:13 Dhe ndodhi që, mbasi ai thërriste dhe ata nuk ia vinin veshin, ata thirrën dhe unë nuk ua vura veshin", thotë Zoti i ushtrive,
7:14 "por i shpërndava me shakullimë midis gjithë kombeve që ata nuk i njihnin. Kështu vendi mbeti i shkretë pas tyre, dhe askush nuk kalonte andej ose nuk u kthye. Nga një vend kënaqësie ata e kthyen në shkreti".
8:1 Fjala e Zotit të ushtrive m'u drejtua përsëri, duke thënë:
8:2 Kështu thotë Zoti i ushtrive: Unë jam shumë xheloz për Sionin, po, unë digjem nga xhelozia për të".
8:3 Kështu thotë Zoti: "Unë do të kthehem në Sion dhe do të banoj në mes të Jeruzalemit. Jeruzalemin do ta quajnë Qytet të besnikërisë dhe malin e Zotit të ushtrive, mal të shenjtërisë".
8:4 Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Nëpër sheshet e Jeruzalemit do të ulen akoma pleq e plaka, secili me shkopin e vet në dorë për shkak të moshës së shtyrë.
8:5 Sheshet e qytetit do të jenë plot e përplot me djem dhe vajza që do të lozin në sheshet e tij".
8:6 Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Në se kjo duket shumë e vështirë në sytë e atyre që kanë mbetur nga ky popull ndër këto ditë, a do të jetë gjithashtu tepër e vështirë për sytë e mi?", thotë Zoti i ushtrive.
8:7 Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Ja, unë do ta shpëtoj popullin tim nga vendi i lindjes dhe nga vendi i perëndimit.
8:8 Unë do t'i bëj të vijnë dhe ata do të banojnë në Jeruzalem; ata do të jenë populli im dhe unë do të jem Perëndia i tyre me besnikëri dhe drejtësi".
8:9 Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Duart tuaja le të jenë të fuqishme, ju që dëgjoni në këto ditë këto fjalë nga goja e profetëve që ishin në kohën kur po hidheshin themelet e shtëpisë të Zotit, me qëllim që të mund të rindërtohej tempulli.
8:10 Përpara asaj kohe nuk kishte pagesë për njeriun dhe pagesë për kafshët; nuk kishte fare siguri për këdo që shkonte ose vinte për shkak të armikut; unë vet, pra, i vija gjithë njerëzit kundër njeri tjetrit.
8:11 Por tani nuk do të jem më me ata të mbeturit nga ky popull siç kam qenë në kohërat e shkuara", thotë Zoti i ushtrive.
8:12 "Sepse do të ketë një farë paqeje: hardhia do të japë frytin e vet, toka do të japë prodhimet e veta dhe qiejt do t'u japin vesën e tyre. Do t'i bëj ata të mbeturit nga ky popull të kenë zotërimin e të gjitha këtyre gjërave.
8:13 Dhe do të ndodhë që, ashtu si ishit një mallkim midis kombeve, o shtëpi e Judës dhe shtëpi e Izraelit, kështu, kur t'ju shpëtoj, do të jeni një bekim. Mos u trembni, duart tuaja le të jenë të fuqishme!".
8:14 Sepse kështu thotë Zoti i ushtrive: "Ashtu si vendosa t'ju bëj keq kur etërit tuaj më provokuan zemërimin", thotë Zoti i ushtrive, "dhe nuk u pendova,
8:15 kështu, këto ditë kam vendosur rishtas t'i bëj mirë Jeruzalemit dhe shtëpisë së Judës. Mos u trembni!
8:16 Këto janë gjërat që duhet të bëni: i flisni me vërtetësi secili të afërmit të tij, në portat tuaja jepni gjykime me vërtetësi, drejtësi dhe paqe.
8:17 Askush të mos kurdisë në zemër të vet ndonjë të keqe kundër të afërmit të vet dhe mos pëlqeni betimin e rremë, sepse të gjitha këto gjëra unë i urrej, thotë Zoti".
8:18 Fjala e Zotit të ushtrive m'u drejtua përsëri, duke thënë:
8:19 "Kështu thotë Zoti i ushtrive: Agjërimi i muajit të katërt, agjërimi i të pestit, agjërimi i të shtatit dhe agjërimi i të dhjetit do të bëhen për shtëpinë e Judës një periudhë gëzimi, hareje dhe festash të gëzuara; prandaj duajeni të vërtetën dhe paqen".
8:20 Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Do të vijnë akoma popuj dhe banorë të shumë qyteteve;
8:21 banorët e një qyteti do të shkojnë tek ata të tjetrit, duke thënë: "Le të shkojmë menjëherë t'i përgjërohemi fytyrës së Zotit dhe të kërkojmë Zotin e ushtrive. Edhe unë do të shkoj".
8:22 Po, shumë popuj dhe kombe të fuqishëm do të vijnë të kërkojnë Zotin e ushtrive në Jeruzalem dhe t'i përgjërohen fytyrës së Zotit".
8:23 Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Në ato ditë dhjetë burra nga të gjitha gjuhët e kombeve do të zënë një Jude nga cepi i rrobës dhe do të thonë: "Ne duam të vijmë me ju sepse kemi dëgjuar se Perëndia është me ju"".
9:1 Orakulli i fjalës së Zotit kundër vendit të Hadrakut dhe Damasku vendpushimi i tij (sepse sytë e njerëzve të të gjitha fiseve të Izraelit i drejtohen Zotit),
9:2 dhe kundër Hamathit, që është në kufi me të, dhe kundër Tiros dhe Sidonit, ndonëse ata janë shumë të urtë.
9:3 Tiro ka ndërtuar një fortesë dhe ka grumbulluar argjend si pluhur dhe ar si balta e rrugëve.
9:4 Ja, Zoti do ta rrëzojë nga fuqia dhe do të shkatërrojë pushtetin e tij në det, dhe ai do të konsumohet nga zjarri.
9:5 Ashkeloni do ta shohë dhe do të ketë frikë, edhe Gaza do të përpëlitet nga dhëmbja e madhe dhe po kështu Ekroni, sepse shpresa e tij do të pësojë zhgënjim. Mbreti do të zhduket nga Gaza dhe Ashkeloni nuk do të banohet më.
9:6 Një popull bastard do të banojë në Ashdod, dhe unë do të asgjësoj krenarinë e Filistejve.
9:7 Do të heq gjak nga goja e tij dhe gjërat e neveritshme nga dhëmbët e tij, dhe ai gjithashtu do të jetë një i mbetur për Perëndinë tonë dhe do të jetë si një kryetar në Judë, dhe Ekroni si Jebuzeu.
9:8 Do të fushoj rreth shtëpisë sime për ta mbrojtur nga çfarëdo ushtrie, nga kush shkon dhe kush vjen; asnjë shtypës nuk do të kalojë më nga ata, sepse tani pashë vetë me sytë e mi.
9:9 Ngazëllo me të madhe, o bijë e Sionit, lësho britma gëzimi, o bijë e Jeruzalemit! Ja, mbreti yt po të vjen; ai është i drejtë dhe sjell shpëtimin, i përulur dhe i hipur mbi një gomar, mbi një gomar të ri.
9:10 Unë do t'i zhduk qerret nga Efraimi dhe kuajt nga Jeruzalemi; harqet e luftës do të asgjësohen. Ai do t'u flasë për paqe kombeve; sundimi i tij do të shtrihet nga deti në det, dhe nga Lumi deri në skaj të dheut.
9:11 Sa për ty, për shkak të gjakut të besëlidhjes sime me ty, i çlirova robërit e tu nga gropa pa ujë.
9:12 Kthehuni në fortesë, o ju robër të shpresës! Pikërisht sot unë deklaroj se do të të jap dyfishin.
9:13 Do ta përkul Judën për mua si harkun tim dhe me Efraimin do ta mbush me shigjeta, dhe do t'i ngre në këmbë bijtë e tu, o Sion, kundër bijve të tu, o Javan, dhe do të të bëj si shpata e një njeriu të fuqishëm.
9:14 Atëherë mbi ta do të duket Zoti dhe shigjeta e tij do të niset si një rrufe. Zoti, Zoti, do t'i bjerë borisë dhe do të përparojë bashkë me shakullimat e jugut.
9:15 Zoti i ushtrive do t'i mbrojë; kështu ata do të gllabërojnë dhe do të shkelin gurët e hobeve të armiqve të tyre, do të pijnë dhe do të bëjnë zhurmë si të nxitur nga vera dhe do të jenë plot me gjak si legenat e vegjël që përdoren për flijime, si brirët e altarit.
9:16 Zoti, Perëndia i tyre, do t'i shpëtojë atë ditë, si kopeja e popullit të tij, sepse do të jenë si gurët e çmuar të një kurore, që do të ngrihen lart si një flamur mbi tokën e tij.
9:17 Sa e madhe do të jetë mirësia e tij dhe sa e madhe bukuria e tij! Gruri do t'i rritë të rinjtë, dhe mushti vajzat.
10:1 I kërkoni Zotit shiun në kohën e shiut të fundit! Zoti do të lëshojë rrufe që do të pasohen nga bubullima dhe shi, do t'u japë atyre shira të bollshme, dhe secilit bar në arën e vet.
10:2 Sepse idhujt familjarë rrëfejnë gjëra të kota, shortarët ndjekin veprime të rreme dhe tregojnë ëndrra të rreme, japin ngushëllime të kota; për këtë arsye ata po enden si dhentë, janë të pikëlluar, sepse janë pa bari.
10:3 "Zemërimi im merr zjarr kundër barinjve dhe unë do të ndëshkoj cjeptë, sepse Zoti i ushtrive do të vizitojë kopenë e tij, shtëpinë e Judës dhe do ta bëjë atë si kalin e tij madhështor në luftë.
10:4 Prej tij do të dalë guri i qoshes, prej tij do të dalë kunji, prej tij harku i betejës, prej tij do të dalë çdo sundues, të gjithë së bashku.
10:5 Dhe do të jenë si trimat që do të shkelin armiqtë e tyre në baltën e rrugëve në betejë. Do të luftojnë, sepse Zoti është me ta, ata që u hipin kuajve do të mbeten të shushatur.
10:6 Unë do ta fortifikoj shtëpinë e Judës dhe do ta shpëtoj shtëpinë e Jozefit dhe do t'i sjell përsëri sepse më vjen keq për ta; do të jenë si të mos i kem dëbuar kurrë, sepse unë jam Zoti, Perëndia i tyre, dhe do t'i kënaq.
10:7 Ata të Efraimit do të jenë si një trim dhe zemra e tyre do të ngazëllojë si e dehur nga vera. Po, bijtë e tyre do ta shohin dhe do të gëzohen, zemra e tyre do të ngazëllojë në Zotin.
10:8 Do t'u fishkëlloj për t'i mbledhur, sepse unë do t'i shpengoj; dhe ata do të shumohen siç janë shumuar më parë.
10:9 Do t'i shpërndaj midis popujve dhe në vende të largëta do të më kujtojnë; do të jetojnë bashkë me bijtë e tyre dhe do të kthehen.
10:10 Do t'i bëj të kthehen nga vendi i Egjiptit dhe do t'i mbledh nga Asiria, për t'i kthyer në vendin e Galaadit dhe në Liban, por nuk do të ketë vend të mjaftueshëm për ta.
10:11 Ai do të kalojë nëpër detin e vështirësisë, por do t'i godasë valët e detit dhe të gjitha thellësitë e lumenjve do të thahen. Krenaria e Asirisë do të shembet dhe skeptri i Egjiptit do të hiqet.
10:12 Do t'i bëj të fuqishëm në Zotin dhe ata do të ecin në emrin e tij", thotë Zoti.
11:1 Hapi dyert e tua, Liban, me qëllim që zjarri të djegë kedrat e tu.
11:2 Vajto, selvi, sepse kedri ka rënë, sepse drurët madhështorë janë shkatërruar. Këlthisni, lisa të Bashanit, sepse pylli i padepërtueshëm është rrëzuar.
11:3 Dëgjohet vajtimi i barinjve, sepse shkëlqimi i tyre u shkretua; dëgjohet vrumbullima e luanëve të vegjël, sepse madhështia e Jordanit u shkretua.
11:4 Kështu thotë Zoti, Perëndia im: "Kulloti delet që janë caktuar për thertore,
11:5 blerësit e të cilave vrasin dhe nuk konsiderohen fajtorë dhe shitësit e të cilave thonë: "Qoftë bekuar Zoti, sepse unë po pasurohem" dhe barinjtë e të cilave nuk kanë kurrfarë mëshire.
11:6 Nuk do të kem më mëshirë për banorët e vendit", thotë Zoti, "madje do të bëj që secili prej tyre të bjerë në dorë të të afërmit të vet dhe në dorë të mbretit të vet. Ata do ta shkretojnë vendin dhe nuk do të çliroj asnjë nga duart e tyre".
11:7 Atëherë nisa t'i kullos delet që ishin caktuar për thertore, pikërisht më të mjerat e kopesë. Mora pastaj për vete dy shkopinj: njërin e quajta "Hir" dhe tjetrin "Bashkim", dhe nisa ta kullos kopenë.
11:8 Brenda një muaj eliminova tre barinj. Unë isha i paduruar me ta, edhe ata gjithashtu më urrenin.
11:9 Atëherë thashë: "Nuk do t'i kullos më; kush është duke vdekur, le të vdesë dhe kush është për të humbur, le të humbasë; pastaj ato që do të mbeten le të hanë njëra tjetrën".
11:10 Mora pastaj shkopin tim "Hir" dhe e theva, për të shfuqizuar besëlidhjen që kisha lidhur me gjithë popujt.
11:11 Po atë ditë ai u shfuqizua. Kështu delet më të mjera të kopesë që po më shikonin, e kuptuan se ajo ishte fjala e Zotit.
11:12 Atëherë u thashë atyre: "Po t'ju duket e drejtë, më jepni pagën time; në se jo, lëreni". Kështu ata e peshuan pagën time: tridhjetë sikla argjendi.
11:13 Por Zoti më tha: "Hidhja poçarit çmimin madhështor me të cilin ata më vlerësuan". Atëherë i mora tridhjetë siklat prej argjendi dhe i hodha në shtëpinë e Zotit për poçarin.
11:14 Pastaj theva shkopin tjetër "Bashkimi", për të thyer vëllazërinë ndërmjet Judës dhe Izraelit.
11:15 Atëherë Zoti më tha: "Merri edhe veglat e një bariu të pamend.
11:16 Sepse ja, unë do të nxjerr në vend një bari që nuk do të kujdeset për delet që humbasin, nuk do t'i kërkojë ato që janë të reja, nuk do të shërojë të plagosurat, nuk do të ushqejë ato që rrijnë në këmbë, por do të hajë mishin e të majmeve dhe do t'u shkulë edhe thonjtë".
11:17 Mjerë bariu i pavlerë që e braktis kopenë! Një shpatë do të jetë kundër krahut të tij dhe kundër syrit të tij të djathtë. Krahu i tij do të thahet krejt dhe syri i tij do të verbohet fare.
12:1 Orakulli i fjalës të Zotit lidhur me Izraelin. Kështu thotë Zoti që i ka shpalosur qiejt, që ka hedhur themelet e dheut dhe ka formuar frymën e njeriut përbrenda tij:
12:2 "Ja, unë do ta bëj Jeruzalemin një kupë hutimi për gjithë popujt përreth; ata do të dalin gjithashtu kundër Judës, kur të rrethojnë Jeruzalemin.
12:3 Atë ditë do të ndodhë që unë do ta bëj Jeruzalemin një gur të rëndë për gjithë popujt; të gjithë ata që do të ngarkohen me të do të bëhen krejtësisht copë-copë, edhe sikur të mblidheshin të gjitha kombet e dheut kundër tij.
12:4 Atë ditë", thotë Zoti, "unë do t'i qëlloj me hutim të gjithë kuajt dhe me marrëzi kalorësit e tyre; do t'i hap sytë e mi mbi shtëpinë e Judës, por do të godas me verbim të gjithë kuajt e popujve.
12:5 Krerët e Judës do të thonë në zemër të tyre: "Banorët e Jeruzalemit janë fuqia ime në Zotin e ushtrive, Perëndinë e tyre".
12:6 Atë ditë unë do t'i bëj krerët e Judës si një mangall që digjet në mes të një turre drush, si një pishtar të ndezur midis demeteve. Ata do të gllabërojnë djathtas e majtas gjithë popujt përreth; por Jeruzalemi do të mbetet akoma i banuar, në vendin e vet, në Jeruzalem.
12:7 Zoti do të shpëtojë më parë çadrat e Judës, me qëllim që lavdia e shtëpisë së Davidit dhe lavdia e banorëve të Jeruzalemit të mos rritet më shumë se ajo e Judës.
12:8 Atë ditë Zoti do t'i mbrojë banorët e Jeruzalemit; atë ditë më i dobëti ndër ta do të jetë si Davidi, dhe shtëpia e Davidit do të jetë si Perëndia, si Engjëlli i Zotit përpara tyre.
12:9 Atë ditë do të ndodhë që unë do të veproj për të shkatërruar të gjitha kombet që do të dalin kundër Jeruzalemit".
12:10 "Do të derdh mbi shtëpinë e Davidit dhe mbi banorët e Jeruzalemit Frymën e hirit dhe të përgjërimit; dhe ata do të vështrojnë drejt meje, drejt atij që kanë therur; do të pikëllohen për të, ashtu si pikëllohesh për një bir të vetëm, dhe do të hidhërohen shumë për të, ashtu si hidhërohesh fort për një të parëlindur.
12:11 Atë ditë në Jeruzalem do të ketë pikëllim të madh, i ngjeshëm me pikëllimin Hadad-rimonit në luginën Megido.
12:12 Edhe vendi do të pikëllohet, çdo familje për vete: familja e shtëpisë së Davidit për vete, bashkëshortet e tyre për vete; familja e shtëpisë së Natanit për vete; dhe bashkëshortet e tyre për vete;
12:13 familja e shtëpisë së Levit për vete dhe bashkëshortet e tyre për vete; familja e Shimejt për vete dhe bashkëshortet e tyre për vete;
12:14 të gjitha familjet e mbetura secila për vete, dhe bashkëshortet e tyre për vete".
13:1 "Atë ditë do të hapet një burim për shtëpinë e Davidit dhe për banorët e Jeruzalemit, për mëkatin dhe për papastërtinë.
13:2 Atë ditë do të ndodhë", thotë Zoti i ushtrive, "që unë do të shfaros nga vendi emrat e idhujve, që nuk do të kujtohen më; do të zhduk gjithashtu profetët nga vendi dhe frymën e papastër.
13:3 Dhe do të ndodhë që, në se dikush do të profetizojë akoma, i ati dhe e ëma që e kanë lindur do t'i thonë: "Ti s'ke për të jetuar, sepse shqipton gënjeshtra në emër të Zotit". Kështu i ati dhe e ëma që e kanë lindur do ta therin, sepse ai profetizon.
13:4 Atë ditë do të ndodhë që secili profet do të ndiejë turp për vegimin e vet, kur të profetizojë dhe nuk do të veshë më qyrkun për të mashtruar.
13:5 Po secili do të thotë: "Unë nuk jam profet, jam bujk; dikush më ka mësuar të rris bagëtinë që në rininë time".
13:6 Pastaj në qoftë se dikush do t'i thotë: "Çfarë janë këto plagë që ke në duart e tua?", ai do të përgjigjet: "Janë ato me të cilat jam plagosur në shtëpinë e miqve të mi"".
13:7 "Zgjohu, o shpatë, kundër bariut tim dhe kundër njeriut që është shoku im", thotë Zoti i ushtrive. "Godite bariun dhe delet le të shpërndahen; pastaj do ta drejtoj dorën time kundër të vegjëlve.
13:8 Dhe në gjithë vendin do të ndodhë", thotë Zoti, "që dy të tretat do të shfarosen dhe do të vdesin, por një e treta do të mbetet.
13:9 Këtë të tretë do ta bëj të kalojë nëpër zjarr, do ta rafinoj ashtu si rafinohet argjendi dhe do ta vë në provë ashtu si provohet ari. Ata do të thërresin emrin tim dhe unë do t'i kënaq. Unë do të them: Ky është populli im, dhe ai do të thotë: Zoti është Perëndia im".
14:1 Ja, po vjen dita e Zotit; plaçka jote e luftës do të ndahet në mes teje.
14:2 Unë do t'i mbledh të gjitha kombet për të luftuar kundër Jeruzalemit; qyteti do të pushtohet, shtëpitë do të plaçkiten dhe gratë do të dhunohen. Gjysma e qytetit do të shkojë në robëri, por ata që do të mbeten nga populli nuk do të shfarosen nga qyteti.
14:3 Pastaj Zoti do të dalë për të luftuar kundër atyre kombeve, ashtu si ka luftuar herë të tjera në ditën e betejës.
14:4 Atë ditë këmbët e tij do të ndalen sipër malit të Ullinjve që ndodhet përballë Jeruzalemit, në lindje, dhe mali i Ullinjve do të çahet në mes, nga lindja në perëndim, duke krijuar kështu një luginë të madhe; gjysma e malit do të tërhiqet drejt veriut dhe gjysma tjetër drejt jugut.
14:5 Atëherë ju do të ikni nëpër luginën e maleve të mi, sepse lugina e maleve do të shtrihet deri në Atsal; po, do të ikni ashtu si keni ikur përpara tërmetit gjatë ditëve të Uziahut, mbretit të Judës; kështu Zoti, Perëndia im do të vijë, dhe gjithë të shenjtit e tij do të jenë me ty.
14:6 Atë ditë do të ndodhë që nuk do të ketë më dritë; yjet e ndritshëm do të erren.
14:7 Do të jetë një ditë unikale, që njihet nga Zoti; nuk do të jetë as ditë as natë, por aty nga mbrëmja do të ketë dritë.
14:8 Atë ditë do të ndodhë që nga Jeruzalemi do të burojnë ujëra të freskëta: gjysma e tyre do të shkojë drejt detit lindor dhe gjysma drejt detit perëndimor; kështu do të jetë si në verë ashtu edhe në dimër.
14:9 Zoti do të jetë mbret mbi gjithë dheun; atë ditë do të jetë vetëm Zoti dhe vetëm emri i tij.
14:10 Gjithë vendi do të shndërrohet në fushë, nga Geba në Rimon, në jug të Jeruzalemit; dhe Jeruzalemi do të lartohet dhe do të banohet në vendin e vet, nga porta e Beniaminit, në vend të portës së parë, deri te porta e Qoshes, dhe nga kulla e Hananeelit deri te torkujt e mbretit.
14:11 Njerëzit do të banojnë dhe asgjë më nuk do të jetë caktuar për t'u shfarosur, por Jeruzalemi do të qëndrojë i sigurt.
14:12 Kjo do të jetë plaga me të cilën Zoti do të godasë të gjithë popujt që kanë luftuar kundër Jeruzalemit: ai do të bëjë që mishi i tyre të konsumohet ndërsa ata qëndrojnë në këmbë, sytë e tyre do të konsumohen në zgavrat e tyre dhe gjuha e tyre do të konsumohet në gojën e tyre.
14:13 Atë ditë do të ndodhë që për shkak të veprimit të Zotit, midis tyre do të jetë një çoroditje e madhe; secili prej tyre do të zërë dorën e fqinjit të vet dhe do ta ngrerë dorën kundër dorës së fqinjit të vet.
14:14 Vetë Juda do të luftojë kundër Jeruzalemit, dhe pasuria e të gjitha kombeve përreth do të mblidhet tok: ar, argjend dhe rroba në sasi të madhe.
14:15 Plagë e ngjashme me tjetrën do të jetë plaga që do të godasë kuajt, mushkat, devetë, gomerët dhe të gjitha kafshët që do të ndodhen në ato fushime.
14:16 Dhe do të ndodhë që secili nga të mbijetuarit nga të gjitha kombet që kanë dalë kundër Jeruzalemit do të dalë vit për vit për të adhuruar Mbretin, Zotin e ushtrive, dhe për të kremtuar festën e Kasolleve.
14:17 Dhe do të ndodhë që, në qoftë se ndonjë familje e dheut nuk do të shkojë në Jeruzalem për të adhuruar Mbretin, Zotin e ushtrive, kurrfarë shiu nuk do të bjerë mbi to.
14:18 Në qoftë se familja e Egjiptit nuk do të dalë dhe nuk do të vijë, as mbi të nuk do të bjerë shi, por do të bjerë e njëjta plagë me të cilën Zoti do të godasë kombet që nuk do të dalin të kremtojnë festën e Kasolleve.
14:19 Ky do të jetë ndëshkimi i Egjiptit, dhe ndëshkimi i të gjitha kombeve që nuk do të dalin të kremtojnë festën e Kasolleve.
14:20 Atë ditë mbi zilkat e kuajve do të skalitet: "SHENJTÉRIM ZOTIT". Tenxheret në shtëpinë e Zotit do të jenë si legenët e vegjël përpara altarit.
14:21 Po, çdo tenxhere në Jeruzalem dhe në Judë do t'i shenjtërohet Zotit të ushtrive; të gjithë ata që do të ofrojnë flijime do të vijnë t'i marrin për të gatuar mishrat. Atë ditë në shtëpinë e Zotit nuk do të ketë më asnjë tregtar.